May 19, 2024
Maqedoni

VMRO-DPMNE: Ahmeti e Grubi po e mbrojnë Gruevskin dhe udhëheqësinë e vjetër te VMRO-së

VMRO-DPMNE-ja e drejtuar nga Hristijan Mickoski shprehet e habitur nga, siç thonë, “mbrojtja që i bën Ali Ahmeti dhe Artan Grubi, ish udhëheqësisë së VMRO-DPMNE-së”. Reagimi i VMRO-DPMNE-së erdhi pas komunikatës së sotme të kabinetit të zv.kryeministrit të parë Artan Grubi, ku pos përgënjeshtrimit të pretendimeve të partisë së Mickoskit për çmimin e atleteve të Grubit, thuhet edhe se, udhëheqësia aktuale e VMRO-së e ka sjellë partinë në nivelin më të ulët të mundshëm, ndërsa theksohet se ish kryetari Nikolla Gruevski ka rejting katër herë më të lartë se drejtuesi aktual i partisë, Hristijan Mickoski.

“Është shumë interesante që Ali Ahmeti dhe Artan Grubi e BDI-ja, me të gjitha forcat e mbrojnë “ish-udhëheqësinë e VRMO-DPMNE-së” nga VMRO-DPMNE’ja e sotme. Të gjelbërit të cilët tani janë Front i rrejshëm i BE’së, në thelb janë bandë kriminale e cila së shpejti do të duhet të japë përgjegjësi, do të duhet t’i shpjegojnë qytetarëve shqiptarë, maqedonas dhe të tjerëve, pse nuk mbisundon drejtësia por urdhërat partiake në gjyqësor dhe prokuroritë. Pse u dogj Spitali modular në Tetovë, me c’rast u dogjën njerëz të pafajshëm. Pse ndodhi Durmo-Tursi e Besa-Transi ku njerëzit e humbën jetën për shkak të mosfunksionimit të sistemit. Për cfarë nxënësit akoma nuk kanë libra, kurse akoma mbetet e paqartë nëse ata do t’i marrin edhe Dëftesat. Për cfare shëndetësia gjendet në kolaps, kurse njerëzit po vdesin korridoreve të spitaleve etj…, Ali AHmeti dhe Artna Grubi le të vazhdojnë të mbrojnë “ish-udhëheqësinë e VMRO-DPMNE’së” nga VMRO-DPMNE’ja, kurse për rejtingun ka vetëm një mënyrë për tu provuar e vërteta, e ato janë zgjedhjet, vetëm qyqarët fshehen pas demagogjisë. Do t’i rikujtojmë për zgjedhjet e fundit në Gostivar e Tetovë”, thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së.