May 16, 2024
Rajon - Botë

Gjenerali i pensionuar izraelit: Përhapja e epidemive në Gaza ia afron fitoren Izraelit

Ish-kreu i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Izraelit, Giora Eiland, tha se përhapja e epidemive dhe fatkeqësive humanitare në Rripin e Gazës e ndihmojnë Izraelin të arrijë fitoren më shpejt, transmeton Anadolu.

“Mënyra për ta fituar luftën më shpejt dhe me një kosto më të ulët për ne kërkon një kolaps të sistemit në anën tjetër dhe jo thjesht vrasjen e më shumë luftëtarëve të Hamasit”, shkroi gjeneralmajor Giora Eiland në gazetën Yedioth Ahronoth.

“Komuniteti ndërkombëtar na paralajmëron për një fatkeqësi humanitare në Gaza dhe për epidemi të rënda. Ne nuk duhet t’i shmangemi kësaj, sado e vështirë të jetë kjo”, theksoi ai, duke shtuar:

“Në fund të fundit, epidemitë e rënda në jug të Rripit të Gazës do të afrojnë fitoren dhe do të zvogëlojnë viktimat midis ushtarëve të ushtrisë”.

Gjenerali në pension i bëri thirrje gjithashtu qeverisë izraelite që të mos ofrojë karburant dhe ndihmë humanitare për Rripin e Gazës.

“Një luftë midis shteteve nuk fitohet vetëm nga lufta ushtarake, por edhe nga aftësia e njërës palë për të thyer sistemin e palës kundërshtare, aftësia ekonomike dhe para së gjithash aftësia për të siguruar energji është e një rëndësie të madhe”, shprehet ai, duke shtuar se për këtë arsye, Izraeli nuk duhet t’i japë palës tjetër “asgjë që i zgjat jetën”.

Që kur Izraeli filloi bombardimet në Gaza më 7 tetor, janë vrarë të paktën 13 mijë palestinezë, përfshirë mbi 9 mijë gra dhe fëmijë, si dhe janë plagosur më shumë se 30 mijë të tjerë.

Gjithashtu mijëra ndërtesa, përfshirë spitale, xhami dhe kisha, janë dëmtuar ose shkatërruar plotësisht në sulmet e pamëshirshme ajrore dhe tokësore të Izraelit në enklavën e rrethuar.

Bllokada izraelite ka ndërprerë Gazën edhe nga furnizimet me karburant, energji elektrike dhe ujë, si dhe ka reduktuar dërgesat e ndihmave në një rrjedhë të vogël.

Ndërkohë, numri zyrtar i vdekjeve izraelite është rreth 1.200.