May 23, 2024
Maqedoni

VMRO akuzon pushtetin për furnizimin e librave digjital pa publikuar programet mësimore

VMRO-DPMNE-ja akuzon pushtetin për furnizimin e librave digjital pa publikuar programet mësimore. Sipas VMRO-DPMNE-së parashikohen furnizime të reja për libra digjitalë edhe pse më herët u bë furnizim prej 500 mijë eurosh për qëllim të ngjashëm, ndërsa librat digjitalë askush nuk i përdori.

“Për 5 vite BDI dhe LSD nuk po arrijnë të sigurojnë libra, ndërsa pasi i ndryshuan programet mësimore për gjuhët e huaja për arsimin fillor e anuluan furnizimin e fundit me arsyetimin se nuk janë paraparë fonde për këtë qëllim, ndërsa furnizimi ishte shpallur që në maj të vitit të kaluar. Duke e ditur se shumë shpejtë do të jenë opozitë, BDI dhe LSD vendosin të bëjnë edhe një furnizim publik, sërish për libra digjitalë, por kësaj radhë për libra joekzistues. Edhe pse programet mësimore për klasën e 7, 8 dhe 9 nuk janë bërë publike, edhe pse libra për këta nxënës nuk janë bërë, megjithatë kjo nuk i pengon të parashikojnë shuma milionëshe për versione digjitale të librave joekzistues. E gjithë kjo është paraparë në furnizimin publik jo për një, por për tre vitet e ardhshme.”, tha Marija Miteva nga VMRO-DPMNE.