Me rastin e shënimit të dyvjetorit të qeverisjes, VLEN organizoi ngjarjen me moton “Transparencë dhe llogaridhënie”, ku prezantoi një bilanc të detajuar të punës së realizuar gjatë 24 muajve të fundit. Përfaqësuesit e koalicionit theksuan se, për herë të parë pas shumë vitesh, qytetarët po shohin rezultate konkrete përmes reformave ligjore, investimeve kapitale, mbështetjes për ekonominë, arsimin, shëndetësinë dhe zhvillimin lokal.

Sipas VLEN-it, dy vitet e para të qeverisjes janë karakterizuar nga vendime dhe projekte që kanë sjellë ndryshime të prekshme në jetën e qytetarëve, duke e vendosur transparencën, llogaridhënien dhe realizimin e premtimeve në qendër të veprimit institucional.

Ndër arritjet kryesore të prezantuara janë:

* Ligji për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat.
* Ligji për Lojërat e Fatit.
* Ligji për Medresenë.
* Ligji për Jurisprudencën.
* Ligji për Arsimin e Lartë.
* Mbi 40 provime profesionale të organizuara në gjuhën shqipe.
* Funksionalizimi i sistemit One Stop Shop në pikat kufitare Tabanoc, Bllacë dhe Jazhincë.
* Zbatimi i One Stop Shop edhe në pikat kufitare me Shqipërinë.
* Financimi i 306 projekteve për komunat shqiptare.
* Hapja e mbi 2.500 bizneseve të reja përmes Planit Operativ për Punësim.
* Mbi 2.500 punësime dhe avancime.
* Fillimi i ndërtimit të kampusit të Universitetit “Nënë Tereza”, me investim prej 40–50 milionë eurosh.
* Investim prej 20 milionë eurosh për fazën e tretë të Sheshit “Skënderbeu”.
* Fillimi i rikonstruksionit të Spitalit të Tetovës, me vlerë 74 milionë euro.
* Vazhdimi i ndërtimit të autostradës Shkup–Bllacë.
* Tenderimi i projektimit të tunelit Tetovë–Prizren.
* Rritja e pagave në sektorin publik.
* Rritja e pensioneve, si dhe e pagave në arsim, shëndetësi dhe polici.
* Mbështetje financiare prej 3.000 denarësh për të rinjtë deri në moshën 23-vjeçare.
* Rritja e kapitacionit për mjekët amë, gjinekologët dhe stomatologët.
* Rekord historik në bujqësi, me mbi 2 miliardë denarë mbështetje për 15.144 duhanprodhues.
* Mbështetje prej 18,3 milionë denarësh për zejtarët dhe industritë përpunuese.
* Shpërndarja e 55.000 vauçerëve për studentët për pajisje elektronike.
* Ndërtimi i pishinave, shkollave, stadiumeve, terreneve sportive dhe rrugëve në pothuajse çdo komunë.
* Heqja e tarifave të roamingut me Bashkimin Evropian.
* Ulja e çmimit të energjisë elektrike për 5–10 për qind.

Nga VLEN u vlerësua se ky bilanc dëshmon se qeverisja nuk është ndërtuar mbi premtime, por mbi rezultate konkrete dhe projekte të realizuara. Sipas koalicionit, këto 24 muaj kanë shënuar një fazë të re të zhvillimit, me investime historike, reforma të rëndësishme dhe politika që synojnë përmirësimin e standardit të jetesës për të gjithë qytetarët.

sqShqip