Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ka reaguar me kritika ndaj VLEN-it, duke e akuzuar se nuk ka realizuar premtimet e dhëna para zgjedhjeve dhe se ka zgjedhur të mbetet në pushtet pa sjellë rezultate konkrete për shqiptarët.
Në reagimin e tij, Taravari thotë se VLEN hyri në qeveri duke kërkuar besimin e shqiptarëve dhe duke premtuar ndryshim, por sipas tij, pas dy vitesh qytetarët “nuk shohin ndryshim, por heshtje, arsyetime dhe dorëzim”.
Ai thekson se nuk ka pasur ndryshime kushtetuese, nuk është bërë përparim në rrugën evropiane, nuk është forcuar statusi i gjuhës shqipe, nuk është mbrojtur përfaqësimi i drejtë dhe nuk janë realizuar investime serioze në komunat shqiptare.
“Premtuan se do të sillnin zë në qeveri, por u bënë hije e vendimeve të të tjerëve”, shkruan Taravari.
Sipas tij, shqiptarët nuk votuan për ministra që “numërojnë ditët në karrige dhe heshtin kur preken interesat e qytetarëve”, ndërsa shton se VLEN “nuk u rrëzua nga pamundësia, por nga zgjedhja për të qëndruar në pushtet me çdo kusht”.
Në fund të reagimit, Taravari thekson se Aleanca për Shqiptarët ka dëshmuar se “kur nuk ka realizim, nuk ka arsye të qëndrohet për dekor”, duke shtuar se “koha e arsyetimeve ka mbaruar” dhe se çdo premtim duhet të matet me punë, ndërsa çdo mandat me përgjegjësi para qytetarëve.

