Në prag të Ditës Ndërkombëtare të Infermierëve, Forumi i Grave i VLEN-it, së bashku me këshilltaren e Lëvizjes Arbëria në Shkup, Sanije Duraku, realizoi një vizitë në Spitalin Obstetrik-Gjinekologjik “Nënë Tereza” në Çair. Gjatë vizitës u shpreh mirënjohje dhe respekt i veçantë për infermieret dhe personelin mjekësor për përkushtimin e tyre të përditshëm ndaj nënave dhe foshnjeve të sapolindura, duke u dhuruar lule si shenjë vlerësimi për punën e tyre fisnike.
Ky aktivitet është vazhdimësi e angazhimit të Forumit të Grave të VLEN-it, i cili së fundmi miratoi edhe një rezolutë gjithëpërfshirëse për fuqizimin e rolit të gruas në shoqëri. Në këtë kuadër, nënvizohet rëndësia e profesionit të infermierisë si një nga shtyllat e kujdesit shëndetësor dhe si shembull i drejtpërdrejtë i kontributit të grave në jetën publike dhe sociale.
Në rezolutë riafirmohet domosdoshmëria për përfaqësim më të lartë të grave në vendimmarrje, mbrojtje të amësisë dhe familjes, kushte dinjitoze në vendin e punës, si dhe tolerancë zero ndaj çdo forme diskriminimi apo cenimi të dinjitetit të grave. Po ashtu, theksohet nevoja për politika që mbështesin familjen si bazë të shoqërisë dhe garantojnë mirëqenie për fëmijët dhe nënat.
VLEN dhe Forumi i Grave mbeten të përkushtuar në ndërtimin e një shoqërie që vlerëson punën e grave në çdo sektor, fuqizon rolin e tyre në institucione dhe afirmon vlerat e përgjegjësisë sociale, solidaritetit dhe respektit për familjen si themel i qëndrueshmërisë shoqërore.

