Përfshihen edhe 104 faqe të bixhozit online në urdhrin e ri për bllokim në Maqedoninë e Veriut. Me këtë, numri i përgjithshëm i platformave të bllokuara ka arritur në 462.

Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësja e Qeverisë, Venera Azizi, përmes një video-paraqitjeje, ku theksoi se masa synon të kufizojë qasjen në platformat e paligjshme të bixhozit dhe të mbrojë qytetarët, veçanërisht të miturit.

Azizi rikujtoi edhe miratimin e ligjit të ri për lojërat e fatit, i cili parasheh distancë prej 500 metrash nga shkollat fillore dhe të mesme për kazinotë dhe automat-klubet. Po ashtu, në bastoret që ndodhen brenda kësaj distance ndalohet vendosja e terminaleve të videolotarisë dhe pajisjeve të tjera për lojëra elektronike të fatit.

Ligji parasheh edhe kufizime në reklamimin e bixhozit, duke ndaluar mesazhet që e paraqesin atë si mënyrë për t’u pasuruar apo si zgjidhje për problemet financiare.

" "

“Me çdo faqe të paligjshme që bllokojmë, ia ngushtojmë hapësirën bixhozit dhe mundësinë për të dëmtuar familjet tona”, deklaroi Azizi, duke shtuar se institucionet nuk do të ndalen me masat kundër bixhozit të paligjshëm.

sqShqip