Maqedonia e Veriut ka përmirësuar gatishmërinë e saj për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe është ndër vendet kandidate me nivelin më të lartë të pajtueshmërisë me legjislacionin evropian, por për të zhbllokuar negociatat e pranimit dhe për të hapur grupin e parë “Themelet”, duhet të miratojë ndryshimet kushtetuese të dakorduara në vitin 2022, të cilat parashikojnë përfshirjen e pakicave në Kushtetutë, tha sot komisionerja e BE-së për Zgjerim, Marta Kos, në konferencë për shtyp në Bruksel me rastin e prezantimit të Pakos për zgjerim për vitin 2026.

Kos vlerësoi se vendi kohët e fundit ka përshpejtuar reformat në kuadër të Planit të Rritjes dhe po bën përpjekje të konsiderueshme për të përmirësuar gatishmërinë e saj për anëtarësim në BE. Megjithatë, ajo theksoi se pritet përparim i mëtejshëm në luftën kundër korrupsionit dhe zbatimin e reformës së administratës publike.

“Sa i përket pajtueshmërisë me legjislacionin e BE-së, Maqedonia e Veriut është ndër vendet me nivelin më të lartë të gatishmërisë. Për të zhbllokuar fazën tjetër të negociatave të pranimit dhe për të hapur grupin “Themelet”, përkatësisht grupin e parë, vendi duhet të miratojë ndryshimet kushtetuese të dakordësuara në vitin 2022 me BE-në, të cilat kanë të bëjnë me përfshirjen e pakicave”, deklaroi Kos.

Ajo theksoi se pa përmbushur këtë kusht, Komisioni Evropian nuk mund t’i propozojë Këshillit të BE-së fillimin e negociatave.

" "

“Freni e dorës për negociatat e pranimit të Maqedonisë së Veriut është ende e tërhequr”, tha Kos, duke theksuar se vendimet politike janë thelbësore për përparimin e çdo vendi kandidat.

Lidhur me vendet e tjera në rajon, Kos vlerësoi se Mali i Zi, Shqipëria, Moldavia dhe Ukraina janë liderë në zgjerim.

Lidhur me Malin e Zi, tha se është më afër anëtarësimit në BE, me një rrugë të përcaktuar qartë drejt nënshkrimit të marrëveshjes së pranimit deri në verën e ardhshme.

Nga ana tjetër, Shqipëria hapi të gjitha grupet e negociatave në pak më shumë se një vit, dhe sfida tjetër është ruajtja e ritmit duke përshpejtuar reformat.

Lidhur me Moldavinë, Komisionerja Evropiane theksoi se ajo ka bërë përparim të konsiderueshëm pavarësisht presioneve të papara të jashtme, se ka përmbushur kushtet për hapjen e të gjitha grupeve të mbetura të negociatave dhe se tani është e nevojshme të forcohet zbatimi i reformave dhe lufta kundër korrupsionit.

Ukraina, sipas Kos, vazhdon me reforma gjithëpërfshirëse pavarësisht agresionit rus, dhe Komisioni Evropian pret që të gjitha grupet e mbetura të negociatave të hapen deri në fund të vitit. Ajo theksoi se progresi i reformave të vendit në kushte lufte meriton njohje të veçantë.

Komisionerja Evropiane deklaroi se Bosnja e Hercegovina ka mbetur prapa në rrugën evropiane dhe se pas zgjedhjeve ka një mundësi për të rinovuar angazhimin e saj për reformat dhe për të ecur përpara drejt hapjes së negociatave të pranimit.

Për Kosovën, ajo theksoi se stabiliteti politik është i nevojshëm për të çuar përpara procesin evropian, duke paralajmëruar se ndryshimet në legjislacionin për këshillat e specializuara mund të bllokojnë progresin.

Lidhur me Serbinë, Komisioni vuri në dukje pengesa në fushat kryesore, në veçanti të drejtat themelore, lirinë e shprehjes, administratën publike dhe lirinë akademike, pavarësisht një niveli të lartë të përafrimit me legjislacionin e BE-së.

Gjeorgjia, siç theksoi Kos, e ka ndaluar në mënyrë efektive procesin e pranimit pas pengesave serioze demokratike, ndërsa Turqia mbetet një vend kandidat dhe partner strategjik, por kushtet që çuan në ngecjen e negociatave janë ende të pranishme.

Duke iu referuar rezultateve të përgjithshme të procesit, Kos vlerësoi se zgjerimi ka arritur më shumë rezultate se në çdo periudhë në 25 vitet e fundit. Vetëm gjatë këtij viti, u hapën ose u mbyllën 61 kapituj negociatash, dhe deri në fund të vitit mbeten më shumë se 30.

Ajo theksoi se rezultatet e arritura nuk janë vetëm meritë e vendeve kandidate dhe Komisionit Evropian, por edhe e shteteve anëtare që mbështetën çdo hap të procesit të pranimit.

“Kjo nuk është një arritje vetëm e vendeve kandidate, as vetëm e Komisionit Evropian, por edhe e shteteve anëtare që mbështetën çdo hap të procesit të pranimit. Ky është suksesi ynë i përbashkët – tha Kos.

Sipas saj, ndryshimet në progres midis vendeve kandidate tregojnë se vullneti politik dhe vendimet konkrete janë vendimtare për ritmin e pranimit, dhe reformat mbeten kushti themelor për progresin drejt anëtarësimit në BE.

sqShqip