June 2, 2024
Rajon - Botë

Vazhdojnë luftimet në Gazë, Katari: S’ka shpresa për armëpushim

Në 24 orët e fundit forcat izraelite kanë vrarë afër 100 persona në Gazë, informojnë nga Ministria e Shëndetësisë së Gazës. Bastisjet dhe sulmet kanë vazhduar edhe në bregun Perëndimor. Të vrarë ka edhe në grupin e Hezbollahut, pasi Izraeli po kryen sulme edhe në Liban. Katari si ndërmjetës thotë se Hamasi dhe Izraeli nuk janë afër një marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftimeve.

“Nuk jemi afër marrëveshjes. Nuk shohim se qëndrimet e palëve kanë përafrim, por kjo nuk na zmbrapsë për të vazhduar. Shpresojmë të arrijmë pajtim gjatë Ramazanit.”, – deklaroi Majed Al-Ansari nga Ministria e Jashtme e Katarit.

Izraeli konfirmon vazhdimin e ofensivës në pjesën jugore të Gazës. Kryeministri izraelit Netanjahu akuzon bashkësinë ndërkombëtare për standarde të dyfishta.

“Nuk mund të thoni se e mbështetni të drejtën e Izraelit që të ekzistojë dhe të mbrohet, ndërkaq më pas të kundërvihesh kur ta shfrytëzojë atë të drejtë. Të thoni se e kundërshtoni Hamasin se shfrytëzon civilët si mbrojtje, e pastaj ta akuzoni Izraelin për viktima civile. Nuk do të na ndalë presioni, nuk kemi opsion tjetër pos fitores.”, – theksoi kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu.

Gjersa luftimet vazhdojnë, rritet edhe uria, që sipas shefit të diplomacisë evropiane, Borrel, kriza po shfrytëzohet si armë ushtarake. Ndihmat e destinuara arrijnë më me vështirësi sipas rrugës detare dhe ajrore, thotë ai.

“Kriza humanitare nuk është e katastrofës natyrore, por që e krijon njeriu, dhe kur kërkojmë alternativë për të ofruar mbështetje nga rruga ujore apo ajrore, duhet të kujtojmë se kjo ndodh pasi toka po mbyllet artificialisht dhe uria po përdoret si armë lufte.”, – u shpreh shefi i Diplomacisë së BE-së, Josep Borrell.

Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara, një e katërta e popullsisë së Gazës po vdes nga uria.