May 16, 2024
Kosovë

Vazhdimi i dialogut, Lajçak: E kemi një plan, e diskutuam me Kurtin – por s’mund të jap detaje

Emisari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirolav Lajçak, ka thënë se BE-ja e ka një plan se si të vazhdohet me procesin e dialogut.

Për këtë ai ka bërë të ditur se kanë biseduar në takimin e së shtunës me kryeministrin Albin Kurti, megjithatë ka shtuar se nuk mund të japë më shumë detaje, raporton Telegrafi.

“Gjithmonë kemi një plan, pra po kemi një plan. E kemi diskutuar me kryeministrin Kurti dhe do ta diskutojmë me presidentin Vuçiq. Nuk mund të hyjë në hollësi në këtë moment. Nuk ka alternativë ndaj dialogut sepse dialogu sjell normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe hap shtegun e BE-së për të dyja vendet”, është shprehur Lajçak.

Ai ka përsëritur se Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të themelohet sa më shpejt.

Emisari evropian ka shtuar se pa formimin e Asociacionit, Kosova nuk mund të bëjë përparim drejt rrugës për në Bashkimin Evropian.