May 3, 2024
Kosovë

Dhunimi i të miturës në Drenas, kërkohet paraburgim ndaj dy të dyshuarve

Një vajzë e mitur nga Komuna e Deçanit dyshohet se është dhunuar në një fshat të Drenasit nga dy persona të moshës madhore. Policia ka arrestuar të dytë, ndërsa Prokuroria në Pejë ka filluar hetimet. Në organizatat që merren me të drejta të grave dhe të fëmijëve thanë se institucionet kanë treguar performancë të ulët në mbrojtjen e të miturve nga abuzimet seksuale
Në një shtëpi në fshatin Llapushnik të Drenasit, një vajzë e mitur e cila këtë muaj festoi ditëlindjen e 14-të, dyshohet se u dhunua seksualisht nga dy të dyshuar të moshës madhore. Rasti ndodhi të dielën, e policia e lokalizoi viktimën të hënën pasi familja e raportoi të zhdukur.

Burime të KOHËS kanë thënë se e mitura nga Komuna e Deçanit, ndodhej për vizitë te familjarët e saj në Malishevë, kur dy të dyshuarit, me të cilët ajo ishte njoftuar në rrjete sociale, e morën me dhunë dhe e dërguan në fshatin Llapushnik, ku dyshohet të ketë ndodhur dhunimi.

Dy të dyshuarit janë arrestuar nga Policia, për të cilët KOHA mëson se njëri është në të njëzetat, ndërsa tjetri në të tridhjetat. Prokuroria Themelore në Pejë ka kërkuar ndaj tyre masë paraburgimi.

“Kemi bërë kërkesë për caktimin e paraburgimit për dy personat të cilët dyshohet se kanë kryer veprën penale të dhunimit ndaj një vajze të mitur. Është mbajtur seanca dëgjimore për caktimin e masës së paraburgimit dhe jemi në pritje të aktvendimit nga ana e gjykatës”, ka treguar prokurorja Suada Hamza.

Në Qendrën Sociale në Malishevë, zyrtarë të së cilës ishin të pranishëm kur e mitura u intervistua nga Policia, kanë thënë për KOHËN përmes telefonit se viktima është në gjendje të rëndë emocionale. E, ata në Qendrën për Punë Sociale në Deçan, që kanë pranuar të martën lëndën për trajtimin e rastit, kanë thënë se gjatë ditës së nesërme do t’i intervistojnë familjarët e viktimës.

Në Polici nuk treguan sa raste për dhunim dhe sulm seksual janë raportuar, ku viktimë kanë qenë vajzat e mitura. Por, ofruan të dhëna në përgjithësi për rastet e dhunës dhe sulmeve seksuale.

Sipas të dhënave të Policisë, gjatë vitit të shkuar janë raportuar 79 raste të dhunimit dhe sulmeve seksuale. E këtë vit katër raste.

Hulumtuesja në organizatën “QIKA”, Blenda Asllani, ka thënë se mungon mbështetja institucionale për vajzat e mitura.

“Kur kemi të bëjmë me të mbijetuarat të cilat janë të mitura, situata bëhet edhe më problematike. Ne besojmë që institucionet mund të bëjnë më shumë dhe duhet të bëjnë më shumë e kjo përfshin dhënie e ndihmës psikologjike falas për të gjitha gratë dhe çikat”, ka thënë ajo.

Edhe organizata për të drejtat e fëmijëve KOMF ka shprehur kritika në drejtim të institucioneve për performancë të ulët në mbrojtjen e të miturve ndaj abuzimeve seksuale.

“KOMF kërkon inspektimin e trajtimit nga institucionet shtetërore të rasteve të dhunës seksuale ndaj fëmijëve, përfshirë trajtimin e kryesve të veprave penale që kanë të bëjnë me dhunë seksuale”, është thënë në reagimin e tyre.

E pas rastit të dhunimit të 14-vjeçares nga Deçani, Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka thirrur protestë për të enjten, nëpërmjet së cilës do të kërkohet që siguria e vajzave dhe grave të trajtohet si urgjencë kombëtare.