October 4, 2024
Kosovë

Lajçak pas takimit me Kurtin: Dënuam fuqishëm sulmin e 24 shtatorit, duhet të ecet para me Asociacionin

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak tha sot pas takimit në Prishtinë me kryeministrin Albin Kurti se kanë dënuar fuqishëm sulmin e 24 shtatorit ndaj Policisë së Kosovës dhe presin që sulmuesit të vihen para drejtësisë.

I dërguari i BE-së tha se sulmuesit e 24 shtatorit duhet të vihen para drejtësisë dhe për këtë pret bashkëpunim dhe angazhim konkret nga Serbia.

Lajçak tha më tej se ngjarjet e 24 shtatorit treguan qartë se normalizimi i raporteve është më urgjente se kurrë.
“Kemi dëgjuar me kujdes qëndrimet e kryeministrit Kurti dhe brengat e tij sa i përket sigurisë në veri. Duam të themi se sulmi ndaj Policisë së Kosovës nga individë të armatosur është përshkallëzim i qartë… dhe kemi dënuar fuqishëm sulmin e 24 shtatorit”, tha ai, raporton Telegrafi.

“Ngjarjet e 24 treguan qartë se normalizimi është më urgjent sesa kurrë…. Presim që Kosova dhe Serbia t’i përmbushin obligimet nga dialogu”, tha ai.

Sipas tij, ngjarjet e 24 shtatorit nuk e ndihmojmë dialogun, por siç tha ai nuk mund ta ndryshojnë as faktin që Kosova dhe Serbia kanë lidhur marrëveshje për normalizim të raporteve.

I dërguari i BE-së më tej tha se kryeministri Albin Kurti ka përgjegjësinë për të avancuar marrëdhëniet nëse duan përparim në proceset integruese.

Lajçak përmendi edhe Asociacionin e komunave me shumicë serbe për të cilën tha se duhet ecur para pa vonesë.

“…Dhe duhet ta theksojmë nevojën për të lëvizur në themelimin e ASK-së pa vonesë dhe pa këtë nuk mund të ketë progres në proceset integruese”, tha ai.