Kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, së bashku me këshilltarin komunal prof. Namik Durmishi, po qëndrojnë në Sarajevë me rastin e Ditëve të Komunës së Stari Gradit, komunë me të cilën Gostivari është i binjakëzuar.
Delegacioni gostivaras u prit nga kryetari i Komunës së Stari Gradit, z. Irfan Çengiç, në një atmosferë miqësore dhe vëllazërore, duke riafirmuar raportet e mira ndërmjet dy komunave.
Gjatë vizitës, Limani dhe Durmishi morën pjesë në seancën festive të Këshillit të Komunës së Stari Gradit, si dhe në darkën zyrtare të organizuar me këtë rast, ku u shkëmbyen dhurata simbolike në shenjë respekti, bashkëpunimi dhe miqësie të ndërsjellë.
Ata u pritën edhe nga veprimtarët tanë të palodhshëm në Sarajevë.

