Qytetarja vushtrriase Suzana Tahiri ka njoftuar se ka falur babanë e saj, Muharremin, i cili po përballet me procedura gjyqësore nën akuzën për lëndim të rëndë trupor ndaj saj, njofton Mitropol.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Tahiri ka treguar se më 2 qershor 2026 ishte e pranishme në seancën gjyqësore të mbajtur në Degën e Gjykatës në Vushtrri, ku trajtohet rasti ndaj babait të saj, ish-polic, i akuzuar për veprën penale të lëndimit të rëndë trupor.
Ajo ka kujtuar ngjarjen e ndodhur në muajin gusht të vitit të kaluar, duke thënë se kishte mbetur e plagosur nga babai i saj me mjet të ftohtë. Sipas saj, pasojat fizike vazhdojnë ende të shkaktojnë dhimbje, ndërsa plagët emocionale mbeten edhe më të vështira për t’u tejkaluar.
Megjithatë, pavarësisht përjetimeve të rënda, Tahiri ka bërë të ditur se në seancën gjyqësore ka vendosur ta falë babanë e saj. Ajo ka shpjeguar se nuk ka dëshiruar që ai, në moshë të shtyrë, të përballet me një dënim të rëndë me burg.
“Ky vendim nuk ishte aspak i lehtë, por e mora me bindjen se falja është një nga virtytet më të mëdha njerëzore”, ka shkruar ajo në deklaratën e saj.
Në postim, Tahiri thekson se sot beson më shumë se kurrë në thënien “trimat falin”, duke e konsideruar këtë përvojë si një sprovë të rëndë që ka ndikuar thellësisht në jetën e saj.
Tahiri ka shprehur dëshirën që askush të mos përjetojë dhimbje të ngjashme dhe ka lutur që sprova të tilla të mos përsëriten më.

sqShqip