Sindikata e të Punësuarve në Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup ka nderuar sot disa konstribues të arsimit, e në mesin e tyre edhe atë nga Kumanova, Etem Xheladini.

Xheladini është dekoruar për kontributin pesë dekadësh që ka dhënë në arsim.

“NDERIMI QË VJEN NGA VLERAT, KUR INSTITUCIONET SERIOZE TË VLERËSOJNË, KRENARIA BËHET DETYRIM MORAL.

Me ndjenjë të thellë respekti dhe mirënjohjeje, sot, më 29.04.2026 (e mërkurë), pata nderin të vlerësohem me një çmim të veçantë nga Sindikata e të Punësuarve në Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup, duke më ndarë “ÇERTIFIKATË VLERËSIMI” për kontributin tim pesëdekadësh në procesin edukativo-arsimor, nga arsimi fillor dhe i mesëm, deri në atë universitar”, tha me këtë rast Xheladini.

Ai shtoi se ky vlerësim, për të, tejkalon një akt formal.

“Ai është dëshmi e gjallë e një jete të tërë të përkushtuar ndaj dijes, edukimit dhe formimit të brezave të tërë. Në një kohë kur vlerat shpesh sfidohen dhe relativizohen, është inkurajuese dhe domethënëse që institucione me integritet, si Universiteti “Nënë Tereza”, përmes stafit të tij akademik dhe drejtues, dëshmojnë se qëndrojnë në mbrojtje të meritës, dijes dhe dinjitetit profesional.
Ky institucion përfaqëson një shtyllë të qëndrueshme të arsimit dhe të ndërgjegjes kombëtare, dhe pikërisht nga këto vatra vlerash lindin edhe nderime të tilla, që i japin kuptim sakrificës shumëvjeçare.
Ky çmim, i ndarë në prag të festës së 1 Maji, si simbol i dinjitetit të punës dhe përkushtimit afatgjatë, vjen si rezultat i një propozimi nga Kryetari i Sindikatës, Prof. Inor. Dr. Avni Avdiu, dhe i miratimit nga Kryesia e Sindikatës, si dhe nga stafi drejtues i Rektoratit të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup.
Për mua, ky është një nder i veçantë dhe një emocion i rrallë, sepse të vlerësohesh në mesin e kolegëve dhe akademikëve, duke ndarë me ta të njëjtat ideale dhe përkushtim, është privilegj që të mbush me krenari dhe përgjegjësi edhe pse je në një moshë të shtyer njëkohësisht”, theksoi Xheladini.

sqShqip