May 15, 2024
Maqedoni

Unë, krijesa e quajtur njeri

Shkruan: Valon Elezi, Kumanovë
Unë, banor i kësaj toke, që me dëshirën dhe vullnetin e Zotit kam lindur plotësisht i lirë, e meritoj lirinë si më të madhen dhuratë nga Zoti!

Unë, kam të drejtën të marr frymë, të pi ujë sepse është përbërja që më vazhdon jetën, të ushqehem sepse aty fitoj vazhdimësinë e forcën!

Unë, krijesa e quajtur njeri, kam të drejtën të dua, të kërkoj njerëz që më duan, ta shfaq dashurinë me fjalë ose vepra, ose ta ruaj atë në zemrën time.

Unë, krijesa e quajtur njeri, si kryevepër mëshire e porosie historike, kam të drejtën të besoj por edhe të mos besoj, kam të drejtën të qesh, kam të drejtën edhe të qaj!

Unë, trashëguesi i kësaj toke ku jetojmë, kam të drejtën të flas dhe të them atë çfarë mendoj! Unë kam të drejtën të flas atë gjë që ndjej se është e vërtetë dhe e mirë për mua, qoftë edhe nëse më rrethojnë të tjerë që si unë nuk mendojnë! Mjafton të mos lëndoj askënd!

Unë, pasardhësi i atij që njohu thellësisht Zotin edhe pse bëri mëkat, kam të drejtën të dyshoj, të frikësohem, të sëmurem dhe të kërkoj ilaçin!

Unë, poseduesi i mendjes, kam të drejtë të zgjedh vet ilaçin që dua, t’i jap jetës time ngjyrat çfarë dua, sepse trupin tim dhe jetën time si dhuratë, i kam përgjegjësi vet unë se çfarë me ato bëj!

Unë jam njeriu, i rrethuar me njerëz tjerë! Të bardhë, të zi, të verdhë, të kuqërremtë, shtatlartë e shtatshkurtër, që besojnë njësoj e që besojnë ndryshe, që dallojnë çfarë hanë, pinë e çfarë veshin, por që, të gjithë njësoj kemi të përbashkët dashurinë, frikën, gëzimin, hidhërimin, shpresën, mërzinë, dyshimin, ankthin e pasionin! Edhe shpirtrat në gjoks pa të cilët nuk kemi jetë!

Unë, krijesa e quajtur njeri, respektoj dëshirën e të tjerëve nga lloji im çfarë ata bëjnë, por lutem e përgjërohem, mos më detyroni të bëj unë diçka që nuk e kam dëshirë, që frikësohem e që dyshoj në të. Është jeta ime, trupi im, shëndeti im.

Unë, banori i shkretëtirave, fushave të gjelbërta, majave malore e akullnajave, e dua lirinë! Dhuratë nga Zoti e kam, e pse një nga lloji im dëshiron të ma merr atë?! Jo, nuk ua jap! Do të luftoj për atë! Nuk ua jap jo, dhe pikë.

Unë, krijesa e quajtur njeri, jam në rrezik nga ithtarët e lirisë pa kufi, që tani po na robërojnë pa kufi!

Unë, si njeri, e dua shëtitjen në male duke ma puthur trupin tim dielli me rrezet e tij. E dua aromën e luleve që depërtojnë thellë në shpirt, e dua borën e ftohtë që gati ma ngrinë dorën, e dua ujin që kur notoj në të çlirohem nga vështirësitë, e dua ngjitjen në kodra e kodrina ku këmba lëndohet nga shkëmbi e ku therrat pickojnë lëkurën! E dua vrapimin pas qengjave në fshat dhe goditjen e lajthive e arrave me gur në formë të natyrshme. E dua shiun kur e shoh duke rënë dhe qullosjen duke qëndruar nën të me krahë të hapur. E dua zhurmën e bubullimës dhe ngjyrat e vijat e vetëtimës! E dua hënën që më përcjell natën ku do që shkoj e që kur bëhet e rrumbullakët është shembull bukurie! I dua yjet që në qiell si stoli janë shumë! Dua të udhëtoj e të shoh, çdo gjë pak më ndryshe se unë, për të kuptuar se ajo që duket ndryshe nga jashtë, të përbashkët ka atë që i mban në jetë, shpirtin! Dua…dua shumëçka!

Unë, si njeri, dua ta kem përballë atë që e dua. Krijesën njeri! Të bisedoj, të kuvendoj, të gëzohem kur e takoj e kur ndahem me të, të ngelet shpresa për takimin e radhës! E dua vlerën e fjalës së shkruar që vulosë, e dua edhe fjalën e thënë mes miqve që gëzon të gjithë që e dëgjojnë! E dua edhe mendimin e thjeshtë edhe të thellë! E dua edhe heshtjen!

Nuk dua të më robërojnë! Nuk dua të më imponojnë asgjë që unë e konsideroj jo të mirë apo të pakëndshme për mua!

Dua të pres aq sa unë dua të pres, e kur të marr ndonjë vendim, të ndodhë me lirinë e plotë timen dhe shpirti im të jetë rehat! Po, rehat!

Unë, krijesa e quajtur njeri, sëmurem, dhe aty është liria ime. Ilaçi më i mirë i shërimit është liria! E nëse kufizohet liria, atëherë ka diçka te unë që nuk roberohet kurrë! Shpirti!

Andaj o njeri, në këtë botë që jeton, jepi liri shpirtit, se ashtu nuk mund të të robërojë askush dhe asnjëherë!

Unë, njeriu, banor i kësaj toke, dua ta kem shpirtin të lirë! Aty është liria e vërtetë! /shenja