Maqedoni

U mbajt kuvendi i rregullt vjetor i El Hilalit

Në praninë e kuvendarëve, të kryetarëve të disa degëve dhe të kryetarit të Këshillit mbikëqyrës, dje në hapësirat e selisë së organizatës u mbajt kuvendi i rregullt vjetor. Në këtë kuvend, i cili në fakt edhe e përfundoi mandatin e vet katërvjeçar, u shqyrtuan raportet e punës së organizatës, ai narrativ dhe financiar për vitin 2022 si dhe programi për vitin 2023.
Në ekspozenë e rastit, kryetari i El Hilalit, Behixhudin Shehapi, përveç tjerash theksoi se kjo përbërje e El Hilalit e kurorëzoi punën me sukses duke u gjendur përballë sfidave dhe peripecive të ndryshme si: pandemia, kriza ekonomike dhe lufta në Ukrainë që shkaktuan shqetësime edhe në shoqërinë tonë. Kjo dëshmon se organizata jonë është bërë edhe më e fuqishme dhe më e vendosur në rolin dhe misionin e saj konkret. Tanimë është një organizatë me koncept dhe vizion të mirëfilltë humanist. El Hilali, tani më, pas 32 vjetëve të veprimit të saj nuk e ka vështirë të përballet me çfarëdo situatash sepse ka provuar gjithçka – që nga më të lehtat deri te më të rëndat. Sepse, ne jemi themeluar dhe udhëhiqemi nga një parim, nga një vizion profetian “Më i miri në mesin e njerëzve është ai i cili bën punë të mira për njerëzit”, theksoi ne fjalimin e vet kryetari Shehapi.
Para përfundimit të punës së kuvendit nga hoxhë Mitalib Ademi u bë lutja, duaja me rastin e mbarimit të mandatit të kësaj përbërjeje si dhe mbi shpirtin e anëtarëve që nuk janë më në mesin tonë dhe të cilët gjatë këtij mandati ndërruan jetë.
Duke qenë se ka përfunduar procesi i zgjedhjeve nëpër degët e El Hilalit dhe janë zgjedhur kuvendarët e rinj mbetet që për një kohë të shkurtër të bëhet konstituimi i kuvendit të ri dhe zgjedhja e bartësit të funksioneve të El Hilalit.