May 17, 2024
Maqedoni

“Postat”, nga protesta bëhen gati për grevë

Nëse rrogat e punonjëse do të vazhdojnë të mos paguhen deri në datën 15 të çdo muaji dhe nuk merren masa urgjente për reformimin e ndërmarrjes, protesta e sindikatës së Postave të Maqedonisë do të kthehet në grevë. Ato kërkojnë që Qeveria të ndërhyjë për të menaxhuar kaosin e shkaktuar me punësimet joproduktive në vite gjë që ka sjellë mungesa të theksuara të punonjësve në procesin teknologjik

Evis HALILI

Shkup, 18 mars – Me kërkesat për likuidimin e pagës së prapambetur, ndërmarrjen e masave urgjente për reformimin e Postave të Maqedonisë, drejtuar Qeverisë, Sindikata e Postës nacionale ka organizuar të hënën një protestë. Sipas paralajmërimeve ky qëndrim do të përshkallëzohet nëse do të hasin në idniferencë ndaj kërkesave të tyre. Nga protesta në grevë, kanë bërë me dije sindikalistët në rast se qeveria nuk do të plotësojë kërkesat për 1800 të punësuar dhe 200 postierë me kontrata. Kërkesat e tyre janë hartimi i një sistematizimi të ri, një marrëveshje e re kolektive, riorganizimi i zonave postare, modernizimi teknologjik, si dhe ndryshimet në Ligjin për shërbimet postare. Sindikata i ka kërkuar Qeverisë të menaxhojë kaosin dhe gjendjen në të cilën është futur PM, me kërkesa për reformim dhe riorganizim të menjëhershëm të kompanisë.

“I bëjmë thirrje Qeverisë, e cila është themeluese dhe pronare e Postës së Maqedonisë, së bashku me menaxhmentin menjëherë dhe pa vonesë që të angazhohen për sigurimin e mjeteve financiare për pagesat e rregullta të pagave, si dhe marrjen e masave urgjente për riorganizimin dhe reformimin e funksionimit të Posta e Maqedonisë, e cila do të çonte në stabilizimin dhe mbijetesën e kompanisë”, thanë sindikalistët. Sipas kreut të Sindikalistëve, Boro Veligdenov, protesta është shprehje e shqetësimit për ekzistencën e Postës së Maqedonisë, si dhe për ruajtjen e vendeve të tyre të punës. Pasi përveç faktit se 80 për qind e punonjësve paguhen me pagë minimale mesatare, punëdhënësi nuk e ka përmbushur as detyrimin ligjor për të paguar pagat brenda afatit të përcaktuar me ligj.

“Duke marrë parasysh gjendjen e keqe financiare të kompanisë, revolta e punonjësve është edhe më e madhe për shkak të frikës se në periudhën e ardhshme do të ketë pagesa të rregullta të pagave. Kjo krizë financiare është rezultat i organizimit të dobët të operimit në Postën e Maqedonisë, për shkak të politikës dhe menaxhimit të personelit që është bërë me vite, me rishpërndarje dhe punësime joproduktive, gjë që na ka sjellë në gjendje të mungesës së punëtorëve në procesin teknologjik, ku më së shumti nevojiteshin punëtorët, të cilët janë transportues poste, mungesa e punonjësve të sportelit, mungesa e punëtorëve në procesin teknologjik. Si rezultat i këtyre politikave, ne kemi administratë dhe pozita udhëheqëse të ngarkuar”, theksoi Veligdenov. Protesta u organizua pranë Drejtorisë së filialeve të Postave të Maqedonisë. Nëse nuk plotësohen kërkesat, protesta do të vazhdojë, ndërsa organizatat sindikale të Postës së Maqedonisë do të fillojnë procedurë greve për të mbrojtur të drejtat e punëtorëve. (koha.mk)