Leni Angelloska-Zdravevska nga Gostivari ka kërkuar publikisht reagim nga institucionet pasi, siç pretendon ajo, dy qen agresivë kanë sulmuar atë dhe dy fëmijët e saj të mitur në fshatin Drugovë të Kërçovës.
Sipas postimit të saj, incidenti ka ndodhur më 22 maj, teksa ajo ishte për një shëtitje të shkurtër me fëmijët.
“Në panik e sipër, fëmijën më të vogël e ngrita në krahë, ndërsa me dorën tjetër u përpoqa të mbroja vajzën më të madhe duke e fshehur pas meje. Në atë moment, njëri nga qentë ma tërhoqi fëmijën e vogël nga krahët dhe ai ra mbi pllakat e betonit”, ka shkruar ajo.
Ajo pretendon se më pas ka shfaqur edhe një qen i dytë, i cili e ka sulmuar me agresivitet.
“Më kapi për duks dhe ma tërhoqi përsëri fëmijën. Fëmija zvarritej mbi pllaka”, shprehet Angelloska-Zdravevska.
Në një moment, sipas saj, pranë tyre ka ndaluar një makinë dhe fëmija ka përfunduar pothuajse nën rrotën e parme.
“Me forcat e fundit arrita ta tërheq, e mora në krahë dhe hyra në oborrin e fqinjëve për t’u shpëtuar. Por, qentë vazhdonin të ktheheshin pas nesh”, shkruan ajo.
Ajo shton se fëmija ka pësuar lëndime trupore, të cilat janë konstatuar në Qendrën Mjekësore në Kërçovë.
Gjithashtu, ajo pretendon se pronari i qenve nuk ka treguar asnjë lloj shqetësimi për ngjarjen.
“Më e tmerrshmja nga të gjitha është se njeriu që i mban qentë, u përgjigj me gjakftohtësi se ‘nuk ka gjë’ dhe nuk tregoi asnjë kujdes, përgjegjësi apo njerëzi”, thekson ajo.
Sipas postimit, rasti është denoncuar në MPB (Ministrinë e Punëve të Brendshme) përmes Ndihmës së Shpejtë, ndërsa ajo ka dhënë edhe një deklaratë zyrtare.
“Këtë nuk po e ndaj për të bërë dramë, por sepse sot ishte fëmija im — nesër mund të jetë i dikujt tjetër”, porosit Angelloska-Zdravevska.

