May 4, 2024
Maqedoni

Thaçi: PDSH dhe BDI garë të fortë për Tetovën, partitë tjera s’janë konkurrente (Video)

Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptaret, Menduh Thaçi, vlerëson se beteja kryesore për Tetovën në zgjedhjet lokale do të zhvillohet mes BDI-së dhe PDSH-së, shkruan gazeta LAJM. Për partitë tjera shqiptare, ai thotë se nuk janë konkurrente në Tetovë dhe komunat rreth saj. Këto komente që Thaçi i bëri në emisionin “Klan Debat” mund t’i ndiqni në videon poshtë tekstit, nga minuta 48:00.

Menduh Thaçi: : Të jemi me këmbë në tokë. BDI-ja është parti e fuqishme, me pushtet të fuqishëm. Ne kemi dëshirë që t’i konkurrojmë BDI-së. Punojmë për atë që t’i konkurojmë BDI-së. Ata janë shumë më të fuqishëm, kanë pushtet shumë më shumë se ne. Ne mendojmë se do të barazohemi sepse ata kanë bërë shumë më shumë gabime se ne. Pushteti i trashë poashtu si zollumi këputen me një moment. PDSH dhe BDI do të kenë betejë të fuqishme korrekte, politike për qytetin e Tetovës.

Gazetari: Nuk merreni me oponentët tjerë politikë, tuaj dhe të BDI-së, oponentët shqiptarë?

Menduh Thaçi: Nuk mendoj se janë konkurrentë për këtë qytet ku flas. Poashtu mendoj unë se do të jemi konkurent të fuqishëm të BDI-së në komunat rreth Tetovës. Kjo do të jetë një garë e fortë. Kemi ne bastionet tona siç është Studeniçani ku poashtu do të jemi në konkurrencë të fuqishme me BDI-në. Ne do të mundohemi që t’i bindim qytetarët se ndryshimi i vërtetë vjen me PDSH-në. Konkurrenti i vërtetë i BDI-së është Partia Demokratike Shqiptare. Pa mohuar të drejtën edhe të tjerëve që konkurrojnë, mendoj se do të arrijmë t’i bindim qytetarët se ata janë emitacioni i keq i PDSH-së.

Partia Demokratike Shqiptare në komunën e Tetovës do të garojë me profesorin Sadi Bexheti, i cili e ka drejtuar këtë komunë nga viti 2009 deri në vitin 2013. Partitë tjera nuk kanë publikuar akoma emrat e kandidatëve për Tetovën./Gazeta LAJM