Kolumna

Sa vjen sezoni veror Dibra ka mungesë uji mbi 10 orë në ditë

Isa Fida
Flasin për politika të mëdha por kanë 20 vite në pushtet dhe nuk ua kanë siguruar dot kushtet themelore për jetesë qytetarëve dibranë.

1. Sa vjen sezoni veror Dibra ka mungesë uji mbi 10 orë në ditë.

2. Nuk ka një rruge të vetme në qytet sipas standarteve. Lirisht mund të thuhet që ka më shumë gropa se sa rrugë, madje në shumicën e rrugëve në 20 vitet e fundit nuk është ndërhyrë aspak. Nëse një person ka lindur në vitin 2001, sot mbush 20 vite dhe është rritur bashkë me gropat.

3. Shëndetësia, më mirë të mos flasim. Spitali në Dibër funksionon vetëm si një pikë “udhëzimesh”, për në Strugë, Ohër dhe Shkup. Në spitalin e Dibrës nuk kryhet as një ndërhyrje apandesiti (zora qore). Asnjë fëmijë në vitet e fundit nuk ka lindur në Dibër. Kështu si po shkojnë gjërat në të ardhmen sështë çudi që edhe synetlliqet të bëhen në Strugë.

4. Dibra dikur ka qenë vatër e arsimit. Në të kaluarën në Dibër vinin të shkolloheshin nga gjithë Maqedonia, por sot arsimi është katandisur si mos më keq, sheh vetëm punsime partiake dhe nepotizëm. Madje edhe disa degë të disperzuara të USHT nuk i mbajtën dot, të paktën fizioterapinë mos e kishin mbyllur.

5. Asnjë punsim nuk bëhet pa patur kartën e antarsisë të BDI. Mund të jesh i aftë, mund të jesh i sukseshëm, por për BDI sukses quhet vetëm kur je antar i kësaj partie. Me punsimet kanë shkuar aq larg saqë edhe pastrueset çerdhes dhe shkollave i bëjnë me kartë partiake.

Pastaj thonë se rinia ikën në perëndim shkaku se duan rroga të larta. Jo, rinia nuk ju duron juve, padrejtësitë tuaja dhe katrahurën që ju keni shkaktuar. Ka plot raste në qytet që kanë ikur duke qenë të punsuar, por ju shkonit aq larg saqë i detyronit të mernin pjesë në çdo tubim partiak, sepse sipas mendësisë tuaj mesjetare “ju e keni punsuar para 10 vitesh dhe e mbanit me bukë”.