May 18, 2024
Maqedoni

Mexhiti: Shumica e ardhshme me mbi 75 deputetë / Osmani: VLEN në Qeveri vetëm si pjesë e “Maqedonia përsëri e jotja”

Duke pritur rezultatet nga zgjedhjet parlamentare të 8 majit, partitë politike tanimë kanë filluar bisedimet për formim të përbërjes së re qeveritare, duke u bazuar në rezultatet nga rrethi i parë i zgjedhjeve presidenciale. Nga koalicioni VLEN janë të sigurt se do të jenë pjesë përbërëse e Qeverisë së ardhshme, e cila siç thotë Izet Mexhiti, do të përbëhet nga mbi 75 deputetë. Mexhiti nuk tregon nëse edhe Lëvizja Znam e Maksim Dimitrievskit është në lojë për shumicë parlamentare, por thotë se ka disa kombinime.
Kush po e fiton betejën ONLINE, kush ka më shumë ndjekës online?

“Qeveria e ardhshme nuk do të jetë me 61 deputetë por me mbi 75 deputetë. Do të ketë shumicë të deputetëve shqiptarë. Gjithashtu do të ketë shumicë të badinterit kështu që BDI edhe përskaj asaj që bëri koalicion me nëntë parti politike dhe me katër komunitete, nuk e shpëton as kjo. Definitivisht BDI shkon në opozitë”, tha Mexhiti.

Por Bujar Osmani nga Fronti Europian shprehet se qytetarët janë ata të cilët do të vendosin në zgjedhje se kush do t’i përfaqësojë në Qeveri. Shprehet se Mickoski nëse dëshiron mund ta ftojë VLEN-in vetëm në kafe ose si pjesë e koalicionit “Maqedonia përsëri e jotja”.

“Unë thash, z.Mickoski VLEN-in mund ta fton në kafe në qytet, në shtëpi, ose në koalicionin “Maqedonia përsëri e jotja”. Dhe nëse VLEN-i thotë se do të jemi në Qeveri si pjesë e koalicionit të VMRO-DPMNE-së dhe partnerëve të tyre sepse ata kanë 20 parti politike brenda. Nëse e kanë edhe VLEN-in, në rregull jemi ne nuk kemi asgjë. Por përfaqësues të popullit shqiptar do të jenë ata që i zgjedhë populli, të popullit turk do të jenë ata që do i zgjedhë populli turk. Prandaj Marrëveshja e Ohrit ka përcaktuar dy shumica për Kuvend dhe shumicë funksionale”, tha Osmani.

Përndryshe ashtu siç njoftuan ditëve të fundit nga koalicioni VLEN, intenca e tyre është që në Qeverinë e ardhshme të marrin përsipër sektorë në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe sektorë për luftë kundër krimit dhe korrupsionit. Ndërkohë dy taborët shqiptar edhe Fronti Europian edhe VLEN, kishin përplasje mes vete për atë se cila prej tyre është përfaqësuesi legjitim i shqiptarëve në zgjedhje.