Taravari: Koha po dëshmon që ne kishim të drejtë!

Arben Taravari, kryetar i ASH

Të nderuar përfaqësues të mediave,
Të dashur qytetarë,

Sot janë bërë 100 ditë që kur Kuvendi votoi zgjerimin e shumicës parlamentare dhe kur Aleanca për Shqiptarët u bë pjesë e qeverisë.

Siç është traditë në vendet demokratike, unë qëndroj sot para jush si Kryetar i Aleancës për Shqiptarët për të reflektuar mbi arritjet dhe sfidat e këtij 100 ditëshi të parë.

Njëqind ditë më parë, vendi ishte i paralizuar.

Kishim kriza globale ekonomike dhe energjetike. Kishim krizë vendore të korrupsionit dhe të ndryshimeve kushtetuese.

Përballë kësaj paralizie, ne duhej të vepronim.

Në koordinime me miqtë ndërkombëtarë, vendosëm të bëhemi pjesë e qeverisë. Ky ishte një vendim i vështirë. Por ne e bëmë për për të stabilizuar shtetin dhe për t’u dhënë perspektivë qytetarëve që po na ikin në masë.

Dhe koha po dëshmon që ne kishim të drejtë.

Pjesëmarrja jonë në qeverisje ka shumë kufizime, në radhë të parë kohore. Po është e pamohueshme se sot, Maqedonia e Veriut është në një vend shumë më të mirë sesa para 100 ditëve.

Impakti i krizave globale ka filluar të zbutet. Ritmi i reformave është përshpejtuar. Kemi përgatitur nismën për ndryshime kushtetuese, e cila së shpejti shkon në procedurë parlamentare.

Sot, mund të them me krenari se Maqedonia e Veriut po ecë përpara.

Por jemi në një pikë kthese historike dhe nuk mund të ndalemi tani.

Gjatë çdo takimi me qytetarë – dhe kam qindra të tilla çdo javë – konstatoj boshllëkun e madh që ndan vendim-marrjen politike nga realiteti i njerëzve të rëndomtë.

Çfarë kërkojnë qytetarët? Ata duan zgjidhje konkrete për problemet e tyre. Duan veprime që ndryshojnë jetën e tyre. Duan përgjigje politike për sfidat e mëdha të kohës.

Unë besoj se çdo veprim, çdo vendim që ne marrim, duhet të zgjidhë një problem, të përmirësojë jetën e përditshme të qytetarëve.

Unë besoj vetëm në rezultate, por në rezultate të korrura përmes një qeverisje shembullore.

Në vazhdimësi kërkoj nga çdo zyrtar të Aleancës për Shqiptarët rezultate konkrete dhe zero tolerancë ndaj korrupsionit. Sepse ne jemi ndryshe dhe duhet të ruajmë pastërtinë që na karakterizon.

Sot, nuk do të prezantoj çdo të arritur tonën në këtë 100 ditësh, sepse kjo do të mirrte shumë kohë. Andaj, do të veçoj, sipas zotimeve të Aleancës për Shqiptarët, disa rezultate konkrete dhe do të reflektoj mbi sfidat që na presin.

Shtylla e parë e veprimit tonë është shteti i së drejtës dhe lufta kundër korrupsionit.

Ne kemi trashëguar një gjendje ku vetëm 2.7% e qytetarëve i bësojnë gjyqësorit dhe prokurorisë.

Që nga fillimi i qeverisjes sonë në Ministrinë e Drejtësisë, kemi marrë masa të forta për të rikthyer besimin dhe për të garantuar drejtësi të pavarur dhe efektive.

Do të veçoja përgatitijen e një konference ndërkombëtare për gjetjen e modelit më të mirë për vetingun në drejtësi. Kemi filluar procesin e digjitalizimit në gjyqësor dhe prokurori për të zëvendësuar mekanizmin AKMIS, i cili mundëson manipulime në alokimin e rasteve gjyqësore.

Së shpejti, çojmë në procedurë qeveritare propozim ligj për menaxhim me pasurinë e konfiskuar dhe hapim zyra për ndihmë juridike falas në të gjithë vendin.

Gjithashtu, impenjohemi dhe insistojmë në kthimin e Universitetit të Tetovës në kornizat ligjore me qëllim të rritjes së cilësisë në arsimin sipëror.

Shtylla e dytë e veprimit tonë është shteti për të gjithë.

Gjatë këtij 100 ditëshi, kemi punuar për përfaqësim të drejtë dhe adekuat në të gjitha fushat e jetës publike dhe për eliminimin e të gjitha formave të diskriminimit.

Përmes Ministrisë së Drejtësisë, kemi siguruar që përkatesia kombëtare të figurojë në një grafë të re në dokumentet e gjendjes civile. Kësisoji ka marrë fund praktika abuzive e deklarimeve të rrejshme të përkatësisë.

Në Ministrinë e Mbrojtjës dhe në Armatë, kemi përmirësuar dukshëm pozitën e shqiptarëve duke pranuar 45 kandidatë shqiptarë për ushtarë profesional, duke avancuar 21 shqiptarë në gradën nënoficer dhe 3 të tjerë në detyra komanduese si dhe duke deleguar 43 shqiptarë në misione paqëruajtëse. Gjuha shqipe, për herë të parë është në përdorim zyrtar në të gjitha instancat e ministrisë.

Në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, kemi buxhetin më të madh deri më tani dhe janë shumëfishuar masat për të mbështetur fermerët. Vetëm për dy muaj janë paguar mbi 60 milionë euro për 78 mijë fermerët, kopshtarët, barinjtë apo shitësit e duhanit.

Gjatë muajve në vijim, do të sjellim Ligjin për përfaqësim të dejtë dhe adekuat i cili do të përcaktojë mekanizmat për t’u arritur punësimi proporcional në sektorin publik. Kjo do të vlejë për komunitetet por edhe për përfaqësimin gjinor dhe të personave me nevoja të veçanta.

Dhe shumë shpejt, nën udhëheqjen e Ministrisë së Shoqërisë Informative dhe Administratës, provimi për administratorë nuk do të jetë vetëm në gjuhën maqedonase por, më në fund, 22 vjet pas Marrëveshjes së Ohrit, edhe në gjuhën shqipe.

Shtylla e tretë e veprimit tonë është era digjitale

Transformimi digjital ndryshon rrënjësisht marrëdhëniet e shtetit me qytetarët dhe hedh bazat e një sistemi të sigurt anti-korrupsion në shërbimin publik. Ky është top prioritet i joni.

Platforma e re “Era Digjitale” do të bëjë shtimin e shërbimëve elektronike për qytetarët dhe administratën. Me programin “Një Pikë Shërbimi”, do të ofrohen mbi 150 shërbime online. Në bashkëpunim me Postën, koncepti one-stop-shop do zbatohet në 333 pika shërbimi në nivel shteti.

Do të krijojmë Agjencinë Digjitale, e cila do të shërbejë si qendër për ekspertizë profesionale të teknologjisë informatike dhe bashkëpunim me sektorin privat, për të katalizuar inovacionin.

Dhe shtylla e katërt e veprimit tonë është shëndetësia.

Qasja në kujdes mjekësor, ikja e mjekëve dhe infermierëve apo gjendja mjeruese e klinikave dhe spitaleve, me të drejtë, janë preokupim i secilit prej nesh, sepse të gjithë një ditë jemi edhe pacientë.

Gjatë këtij 100 ditëshi, kemi rritur deri në 3000 denarë pagat për gjithë personelin mjekësor. Kemi rritur kompensimin e kujdestarive deri në 166%. Kemi zhvilluar projekte infrastrukturore dhe siguruar paisje të reja në shumë klinika dhe spitale, në Shkup, Gostivar dhe Strumicë.

Është aprovuar rregullorja, çmimorja dhe komisioni i listës pozitive të barnave. Kemi lansuar aplikacionin mobil “Shëndeti im”, si dosje personale elektonike e çdo qytetari. Është lansuar edhe platforma “e-shëndetësia” e cila u jep qytetarëve në një vend, të gjitha shërbimet shëndetësore digjitale dhe informacion për shëndetin e tyre.

Gjatë muajve të ardhshëm do të përgatisim strategji shtetërore për sistemin shëndetësor, me qëllim të rritjes së efikasitetit dhe përmirësimit të shërbimeve. Do të sigurojmë 20 ambulanca për institucionet shëndetësore në vend. Dhe në fund, jam i lumtur t’ju njofotj se do të sigurojmë që vëllezërit tonë nga Kosova nuk do të paguajnë më shuma astronomike për shërbime shëndetësore në Shkup. Tarifat për shtetasit e Kosovës do të jenë të njëjta me ato që paguajnë shtetasit e Maqedonisë së Veriut.

Të dashur qytetarë,

Ka edhe qindra gjëra të mira që kanë bërë ministrat, zëvëndës ministrat dhe drejtorët tonë të cilat nuk mund t’i përmend të gjitha. Do të informohuni nga secili prej tyre veç e veç gjatë ditëve në vijim.

Para se të përfundoj, dua të ndaj me ju tri bindje të forta, të cilat janë udhërrëfyes të veprimit tim politik.

Bindja ime e parë është Evropa.

Për integrimet evropiane është premtuar shumë, por është gënjyer shumë. Ne nuk gënjejmë.

Ne e dimë se integrimet tani janë në dorën tonë dhe nga ne pritet të bëjmë sa më shpejt ndryshimet kushtetuese nëse duam t´i hapim negociatat për BE. Por ne gjithashtu e dimë se situata ka ndryshuar rrënjësisht në rajon pas agresionit rus ndaj Ukrainës. Rusia është shumë prezente në Ballkan dhe Serbia është shumë aktive në linjën pro-ruse. Fatkeqësisht, ekziston rreziku që edhe Maqedonia e Veriut të rrëshqasë në linjën pro-ruse.

Evropa është shtëpia jonë e vetme. Por Evropa nuk na pret. Demokracia jonë duhet të tejkalojë gënjeshtrat, zemërimin, urrejtjen dhe frikën që na kanë ndarë.

Kundërshtarët e Perëndimit, forcat dashakeqe po përpiqen të na bllokojnë. Duhet t’u dëshmojmë atyre por mbi gjitha, miqve tanë, se ne duam dhe mundemi.

Dhe do t’ia dalim.

Bindja ime e dytë është se ne vend të temave që polarizojnë, duhet të fokusohemi në ato që na bashkojnë.

E tillë është kërkesa jonë për heqjen e përkufizimit kushtetues të gjuhës shqipe.

Ashtu siç solidarizohemi me bashkëqytetarët tanë maqedonas në mbrojtje të identitetit të tyre, presim që edhe ata të përkrahin kërkesën unanime të shqiptarëve për mbrojtje të gjuhës dhe identitetit shqiptar në Kushtetutën e vendit.

Dhe për fund, bindja ime e tretë është se të gjitha vendimet tona duhet t’i marrim duke pasur parasysh nevojat dhe kërkesat e rinisë. Sepse ata janë e ardhmja e vendit.

Duke i dhënë perspektivë të qartë evropiane vendit, i japim perspektivë edhe të rinjëve dhe rrisim motivin e tyre për të kontribuar në vendlindje.

Siç thoshte ministri dhe shkrimtari amerikan James Freeman Clarke “Dallimi midis politikanit dhe burrështetasit është se politikani mendon për zgjedhjet e ardhshme, ndërsa burrështetasi për gjeneratën e ardhshme.” Nëse ne si politikanë vazhdojmë të mendojmë vetëm për zgjedhjet e ardhshme, do të jemi përgjegjësit e parë të një ekzodi masiv. Do të jemi përgjegjës për shndërrimin e këtij vendi, nga një vend me popullatë ndër më të rejat në Evropë, në një vend të pleqve që flasin në Viber me bijtë dhe bijat e tyre të shpërndarë nëpër Evropë. Është koha të sillemi si burrështetas!

Tani jemi në dispozicionin tuajin për t’iu përgjigjur pyetjeve tuaja.

Faleminderit.