Përfaqësuesi i VLEN-it, Driton Sulejmani, është shprehur i bindur se do të dalin fitues absolut në rast të mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, duke pretenduar se do të jenë përfaqësues legjitim të shqiptarëve, ashtu siç ishin edhe pas zgjedhjeve të fundit parlamentare.
Duke folur në emisionin “N’Dritë” në Alsat-M, Sulejmani komentoi edhe deklaratën e kryeministrit Hristijan Mickoski se qeveria mund të formohet me 61 deputetë. Sipas tij, kjo është e mundur nga aspekti kushtetues, pasi përfaqësimi i shqiptarëve në ekzekutiv lidhet edhe me marrëveshje politike ndërmjet partnerëve të koalicionit.
“Është fakt real dhe kushtetues që qeveria formohet me 61 deputetë, por ka marrëveshje mes partnerëve që formojnë qeverinë që përfaqësues të ketë edhe nga populli i dytë shumicë, siç janë në këtë rast shqiptarët”, deklaroi Sulejmani.
Ai theksoi se pjesëmarrja në qeveri e subjektit që fiton zgjedhjet në kampin politik shqiptar do të ishte e rëndësishme për demokracinë dhe përfaqësimin politik të shqiptarëve, megjithëse, siç u shpreh, “kjo nuk është e përcaktuar shprehimisht me Kushtetutë”.
“Mendojmë se është e shëndetshme për demokracinë dhe përfaqësimin e shqiptarëve që pjesë e qeverisë të jetë partia fituese e zgjedhjeve te kampi politik shqiptar. Mirëpo, kjo nuk është çështje që është e rregulluar me Kushtetutë dhe zakonisht ka ndodhur të bëhet në formë të marrëveshjeve politike mes disa partnerëve”, tha ai.
Sulejmani tha se VLEN-i nuk u ikë zgjedhjeve të parakohshme dhe janë të gatshëm të marrin pjesë, duke shprehur bindjen se do të përfundojnë me sukses.
Megjithatë, ai theksoi se, sipas qëndrimit të VLEN-it, zgjedhjet e parakohshme nuk janë të nevojshme në këtë moment, “pasi qeveria ka nisur projekte të rëndësishme që synon t’i përfundojë deri në fund të mandatit”.

