Kryeministri Hristijan Mickoski, në një intervistë për emisionin “Klik Plus” në TV21, duke folur për rastin e Iva Mihailovës dhe babait të saj, deklaroi se Bullgaria mund të bëhet strehë për kriminelët, të cilët mund ta keqpërdorin këtë rast. Sipas tij, Bullgaria mund të shndërrohet në një vend ku kriminelët e dënuar mund të kërkojnë strehim duke siguruar pasaporta bullgare.
Kryeministri Mickoski shtoi se Mihailova e ka kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme dhe se nuk ka asnjë të vërtetë në deklaratat e avokatit të saj. Ai theksoi se Ministria e Punëve të Brendshme po e heton rastin dhe se së shpejti pritet të dalin përgjigjet, por ajo që shqetëson është, sipas tij, veprimi i koordinuar i opozitës maqedonase me mediat bullgare, me qëllim dëmtimin e Qeverisë.
“Po krijojnë të njëjtën tezë, nëse e vini re. Çfarë kanë të përbashkët mediat proqeveritare atje dhe opozita jonë maqedonase? Kanë të përbashkët pretendimin se kjo ishte e organizuar paraprakisht. Mirë, nëse është e organizuar, tani ekziston një fletarrest ndërkombëtar. Ju lutem, dorëzojini ata, sepse kemi një fletarrest ndërkombëtar. Nëse nuk i dorëzojnë, kjo do të thotë se pretendimi i tyre nuk është i vërtetë. Kjo do të thotë se ajo është dërguar në Bullgari në mënyrë të paligjshme”, deklaroi kryeministri Mickoski.
Kryeministri Mickoski theksoi se për këtë rast do të diskutohet me partnerët ndërkombëtarë, pasi, sipas tij, një partner i vendit në NATO po bëhet strehë për kriminelët dhe mund të shërbejë si justifikim edhe për persona të tjerë që do të largoheshin ilegalisht drejt këtij vendi për të kërkuar strehim.
“Ne kemi biseduar me partnerët tanë ndërkombëtarë. Kjo çështje do të ngrihet edhe në takimet me Aleancën e NATO-s, sepse një partner ynë në NATO sot është strehë për kriminelët e dënuar dhe ne presim që ata sa më shpejt të dorëzohen para drejtësisë. Gjithashtu, kjo çështje do të ngrihet edhe te partnerët tanë në Bashkimin Evropian.
Nuk do të doja që një kriminel i dënuar të bëhej shkak për moszbatimin e drejtësisë. Nuk do të doja të besoja se udhëheqja aktuale politike e fqinjit tonë lindor do të shërbejë si justifikim që kriminelët nga vendi ynë të pajisen me pasaporta bullgare, të arratisen përmes kalimeve ilegale dhe të kërkojnë strehim atje”, theksoi Mickoski.
Kryeministri theksoi se ka forca politike që kanë pritur një reagim emocional nga pala maqedonase, por kjo, sipas tij, nuk ka ndodhur. Përkundrazi, ai tha se autoritetet po reagojnë ndryshe nga pritjet e tyre dhe po i ftojnë palët të ulen në tryezë për të gjetur zgjidhje për problemet.
Në fund, Mickoski përsëriti se Iva Mihailova dhe babai i saj, herët a vonë, do të përgjigjen para drejtësisë.

