Përfaqësuesi i VLEN-it, Driton Sulejmani në emisionin “Pika e takimit” në Lajm TV duke folur për kongresin e partisë ku VLEN u shndërrua në një subjekt politik tha se 9 maji ka qenë një ditë historike në skenën politike të shqiptarëve.

Për herë të parë në pluralizmin politik të vendit, tha ai, organizohet një kongres ku temë kryesore ka bashkimin.

“Deri tash të gjitha kongreset kanë ardhur si rezultat i përçarjes së ndonjë partie politike, apo krijimit të ndonjë grupacioni të caktuar të shndërruar në parti politike, kurse për herë të parë ndodhë të organizohet një kongres partiak i cili i bashkoi 5 struktura politike dhe e shndërroi atë në një parti politike të fuqishme”, tha Sulejmani.

Sa i përket statutit të partisë, ai tha se është një statut ndryshe nga tjerët, për shkak të modelit të funksionimit të VLEN-it.

“Për herë të parë në skenën politike kemi model me bashkëkryetarë, të cilët do kenë përgjegjësitë e veta që bashkërisht do të menaxhojnë subjektin politik. Si organ kryesor me kompetencat më të mëdha të vendimmarrjes do të jetë presidenca ku do marrin pjesë bashkëkryetarët, sekretari gjeneral dhe dy nënkryetarët e VLEN-it”, tha Sulejmani.

sqShqip