Agjencia për Siguri Kombëtare (ASK) ka zbuluar një rrjet iranian, i përfshirë në planifikimin e një sulmi terrorist.
“Që nga fillimi i vitit 2026, Agjencia, në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare Greke të Inteligjencës dhe shërbime të tjera partnere, si dhe në koordinim me Ministrinë e Punëve të Brendshme – Byronë për Siguri Publike në nivel kombëtar, ka ndërmarrë aktivitete për zbulimin e qëllimeve dhe planeve të personave të lidhur me faktorë të huaj, përkatësisht iranianë, për kryerjen e akteve terroriste.
Në këtë drejtim, Agjencia ndërmori një sërë aktivitetesh operative-teknike dhe analitike me qëllim zbulimin e një rrjeti ndërmjetësues nga vendi ynë, të lidhur me shtetasin iranian Edris Jahangiri Mavaneh, i identifikuar si person me lidhje me aktorë të tjerë ndërmjetësues të shërbimeve iraniane të sigurisë dhe inteligjencës, përfshirë edhe lidhjet e tij me bosin e drogës Naji Sharifi Zindashti”, njoftojnë nga ANB.
Sa i përket rrjetit në Maqedoni, bëhet fjalë për persona të përfshirë në struktura kriminale në vend, të cilët, sipas udhëzimeve të drejtpërdrejta të shtetasit iranian, kishin ndërmarrë aktivitete përgatitore dhe logjistike për realizimin e një atentati terrorist ndaj një personi në Greqi.
“Në koordinim dhe përmes shkëmbimit të informacioneve me shërbimet partnere të huaja, u zbulua mënyra e tyre e veprimit, përkatësisht organizimi i takimeve konspirative në territorin e vendeve të treta, përfshirë edhe Iranin. Në këtë mënyrë u konfirmuan lidhjet me shtetasin iranian, i cili është organizatori kryesor i aksionit të planifikuar terrorist.
Informacionet tregojnë se bëhet fjalë për një person që ka një rrjet të gjerë aktorësh ndërmjetësues dhe kontakte me një person me interes të lartë për shërbimet e sigurisë, përkatësisht një bashkëpunëtor të shërbimeve iraniane të sigurisë dhe inteligjencës.
Këto lidhje, si dhe fakti se gjatë periudhës së kaluar disa vende janë përballur me kërcënime dhe sulme terroriste nga aktorë të lidhur me Iranin, përputhen me përpjekjet e shërbimeve iraniane të inteligjencës për të fshehur aktivitetet e tyre përmes rrjeteve kriminale ndërmjetësuese në vende të treta, përfshirë edhe Maqedoninë”, thuhet në njoftimin e ANB-së.
Nga Agjencia theksojnë se, në kuadër të kompetencave të tyre, do të vazhdojnë të fokusohen në ruajtjen e sigurisë kombëtare, duke ndërmarrë aktivitete për zbulimin dhe parandalimin e kërcënimeve të mundshme terroriste përmes elementeve ndërmjetësuese nga Irani, si dhe për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në rrjetet iraniane.
Gjashtë persona janë përfshirë në aksion
Sipas raportimit të TV21, drejtori i Byrosë për Siguri Publike, Aleksandar Janev, ka konfirmuar se në aksion janë përfshirë gjithsej gjashtë persona.
Katër personave u është caktuar masa e paraburgimit, njërit arrest shtëpiak, ndërsa personi i gjashtë ende nuk është i kapshëm për organet e ndjekjes dhe po kërkohet.
Drejtori i ANB-së, Bojan Hristovski, ka bërë të ditur se hetimi dhjetëmujor ka zbuluar rrjetin dhe aktivitetet e tij përmes bashkëpunimit me shërbimet partnere të huaja.
Ai gjithashtu ka theksuar se deri më tani nuk ka informacione për përgatitjen e sulmeve terroriste në territorin e Maqedonisë apo për shtetas maqedonas si objektiva të mundshëm të këtyre sulmeve.

