May 5, 2024
Maqedoni

Spasovski: Mos u shqetësioni për atë që ndodhi në “East Gate Mall”, bëhet fjalë për grupe kriminele

Ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski pas incidentit të djeshëm në qendrën tregtare “East Gate Mall” në Shkup, ku një person me armë zjarri ka qëlluar dhe ka plagosur dy persona brenda në objekt, tha se siguria e qytetarëve nuk është e kërcënuar dhe se qytetarët nuk duhet të kenë frikë për sigurinë kur lëvizin në hapësira publike. Spasovski theksoi se në Sektorin e Punëve të Brendshme në Shkup është formuar një shtab i veçantë, i cili së bashku me departamentet për krim të organizuar, policinë kriminale dhe forenzikë janë duke punuar në mbledhjen e informatave dhe provave me qëllim të vërtetimit të fakteve dhe motivet e sulmit të djeshëm.

OLIVER SPASOVSKI, MINISTËR I PUNËVE TË BRENDSHME

“Jemi duke punuar intensivisht në vërtetimin e fakteve, por për momentin nuk mund të ndajmë informacione me publikun. Është mirë që të gjitha informacionet të merren nga institucionet zyrtare dhe çfarë shkruan dikush në rrjetet sociale nuk duhet marrë shumë seriozisht. Të gjitha provat janë mbledhur në kuadër të procedurës hetimore dhe për gjithçka do të jeni të informuar.”

Drejtori i Klinikës për Sëmundje Kirurgjike “Shën Naum i Ohrit” në Shkup, Luben Arsenkov dhe drejtori i Klinikës për Kirurgji torakovaskulare, Nexhati Jakupi kanë njoftuar se të dy pacientët janë në gjendje stabile , por për shkak të rëndesës së plagëve, mbeten në repartet e terapisë intensive të spitaleve ku janë shtruar.

Dje në qendrën tregtare “ East Gate Mall” është shtënë ndaj dy personave të cilët me lëndime janë dërguar në spital për ti ofruar ndihmë. Më 25 gusht të këtij viti, në garazhet e nëndheshme në East Gate po ashtu ndodhi një incident me armë dhe cak i atij incidenti ishte pikërisht njëri nga të plagosurit e ditës së djeshme.