Etem Xheladini
Migrimi i të rinjve nuk po ndryshon vetëm demografinë e shoqërisë shqiptare. Po ndryshon edhe familjen, mënyrën e të jetuarit dhe përvojën e pleqërisë. Pas statistikave të emigrimit fshihen shtëpi që boshatisen dhe prindër që plaken larg fëmijëve të tyre. Emigrimi është shpesh një zgjedhje për një jetë më të mirë, për siguri ekonomike dhe mundësi më të mëdha. Por krahas përfitimeve, ai ka edhe një kosto që nuk matet lehtë, vetminë e atyre që mbeten vetëm. Në shumë vendbanime shqiptare, shtëpitë dikur të mbushura me zëra, fëmijë dhe gjallëri janë sot të heshtura. Tryezat kanë më pak karrige, oborret janë bosh dhe një vizitë e fëmijëve është kthyer në një ngjarje që pritet me padurim.
Këtu qëndron një nga paradokset më të dhimbshme të emigrimit: fëmijët largohen për të ndërtuar të ardhmen e tyre, ndërsa prindërit që sakrifikuan për atë të ardhme mbeten vetëm, pikërisht kur kanë më shumë nevojë për kujdes dhe afërsi. Mbështetja financiare është e rëndësishme. Ajo siguron ushqim, ilaçe dhe kushte jetese. Por paratë nuk mund të zëvendësojnë një bisedë, një vizitë, një përqafim apo ndjenjën se dikush është pranë. Kjo nuk është vetëm çështje familjare. Është edhe një çështje sociale. Një shoqëri që përballet me emigrimin e të rinjve dhe plakjen e popullsisë duhet të mendojë seriozisht për mirëqenien e atyre që mbeten vetëm. Kujdesi për të moshuarit është përgjegjësi e familjes, por edhe e komunitetit dhe institucioneve. Megjithatë, përtej politikave dhe institucioneve, ekziston përgjegjësia jonë personale. Largësia gjeografike nuk duhet të bëhet largësi emocionale.
Një telefonatë nuk kërkon shumë kohë. Një vizitë mund të kërkojë sakrificë, por për një prind që pret mund të ketë vlerën e një bote të tërë. Një përqafim nuk kushton asgjë, por mund të jetë dhurata më e çmuar. Gabojmë kur mendojmë se do të kemi gjithmonë kohë, e shtyjmë telefonatën për nesër, vizitën për muajin tjetër, takimin për pushimet e ardhshme. Por koha kalon dhe prindërit plaken.
Një ditë mund të kthehemi në shtëpinë ku jemi rritur. Mund të jenë ende aty mobiliet, fotografitë dhe sendet që ata i kanë ruajtur me kujdes. Por mund të mungojë njeriu që e bënte atë shtëpi shtëpi.
Atëherë kuptojmë se pasuria më e madhe nuk ishte prona, mobiliet apo ajo që ndërtuam larg vendlindjes.
Ishin ata, nëna dhe babai, ata që të pritën gjithmonë. Ata që na falën kur gabuam, ata që na mbajtën për dore kur ende nuk dinim të ecnim. Prandaj, kur flasim për emigrimin, të mos flasim vetëm për numrin e të larguarve dhe për përfitimet ekonomike. Të flasim edhe për ata që mbeten vetëm, për prindërit që plaken, për shtëpitë që boshatisen dhe për vetminë që nuk regjistrohet në asnjë statistikë.
mund të ndërtojmë karriera, të fitojmë pasuri, të blejmë shtëpi dhe të jetojmë mijëra kilometra larg. Por asnjë sukses nuk e zëvendëson një nënë dhe një baba. Asnjë pasuri nuk mund të blejë kohën që kemi humbur me ta. Mos prisni që shtëpia të mbetet bosh për ta kuptuar vlerën e pranisë së tyre. Mos e shtyni telefonatën, mos e shtyni vizitën, mos e kurseni përqafimin. Sepse prindërit nuk janë vetëm e kaluara jonë, ata janë përgjegjësia jonë e së tashmes.

