Shpërthime janë dëgjuar pasditen e sotme në Dubai, në një kohë kur Emiratet e Bashkuara Arabe dhanë alarmin për një kërcënim të mundshëm me raketa

Ministria e Mbrojtjes konfirmoi se sistemet e saj kishin identifikuar një kërcënim me raketa “të drejtuar drejt vendit”. Pas këtij konstatimi, autoritetet aktivizuan mbrojtjen ajrore të Emirateve.

Paralelisht me shpërthimet e raportuara në Dubai, Ministria e Brendshme dërgoi një alarm në telefonat celularë të banorëve, duke u kërkuar të strehoheshin menjëherë.

“Për shkak të situatës aktuale dhe kërcënimeve të mundshme me raketa, kërkoni menjëherë një vend të sigurt në ndërtesën më të afërt”, thuhej në paralajmërimin e Ministrisë së Brendshme, sipas Euronews.

" "

Autoriteti Kombëtar për Menaxhimin e Emergjencave, Krizave dhe Fatkeqësive u bëri gjithashtu thirrje banorëve që të qëndrojnë në vende të sigurta dhe të ndjekin njoftimet dhe paralajmërimet që publikojnë kanalet zyrtare.

Autoritetet e hoqën alarmin pak kohë më vonë. Deri në informacionet e publikuara pasditen e sotme, nuk kishte të dhëna për viktima apo dëme materiale. Autoritetet nuk kishin bërë publik as origjinën e raketave të identifikuara nga sistemet e mbrojtjes.

Alarmi i së martës ishte i pari prej disa muajsh që lidhej me raketa të cilat Ministria e Mbrojtjes deklaroi se ishin drejtuar ndaj Emirateve të Bashkuara Arabe.

Në qershor autoritetet kishin lëshuar një alarm që më pas rezultoi i rremë. Në korrik u dha një tjetër paralajmërim për një sulm, por kërcënimi nuk hyri në territorin e Emirateve. Para këtyre dy rasteve, paralajmërimi i fundit për raketa ishte dhënë në fillim të majit.

Këtë herë, shpërthimet e regjistruara në Dubai përkuan me aktivizimin e mbrojtjes ajrore dhe me konfirmimin zyrtar të Ministrisë së Mbrojtjes për raketa të drejtuara ndaj vendit. /Pamfleti

sqShqip