Shkruan: Silvana Begaj
Reforma territoriale duhet të bëhet për t’i afruar shërbimet me qytetarin dhe për t’i bërë bashkitë më funksionale, jo thjesht për të zvogëluar numrin e tyre.
Selenica është një territor i gjerë, rural dhe me shumë fshatra të shpërndarë. Nëse Bashkia Selenicë shkrihet me Vlorën, për shumë banorë administrata do të largohet edhe më shumë. Banorët e Kotës, Sevasterit, Vllahinës dhe zonave të tjera nuk duhet të detyrohen të shkojnë deri në Vlorë për çështje që sot mund t’i zgjidhin shumë më pranë vendbanimit të tyre.
Jam kundër sepse:
– Selenica ka nevoja dhe prioritete të ndryshme nga qyteti i Vlorës.
– Ekonomia rurale, bujqësia, blegtoria, infrastruktura e fshatrave dhe tradita minerare kërkojnë vëmendje të posaçme.
– Brenda një Bashkie Vlorë shumë më të madhe ekziston rreziku që Selenica dhe fshatrat e saj të humbasin peshë në vendimmarrje.
– Investimet mund të orientohen natyrshëm drejt qytetit dhe bregdetit, ku është përqendruar popullsia dhe aktiviteti ekonomik.
– Selenica rrezikon të humbasë jo vetëm një institucion, por edhe zërin dhe përfaqësimin e saj lokal.
– Kursimi i disa kostove administrative nuk mund të jetë më i rëndësishëm se shërbimi që merr qytetari.
Dhe dua të shtoj diçka edhe nga përvoja ime personale.
Ndryshe nga problematikat që mund të hasen në shumë institucione të tjera vendore, unë kam konstatuar se Bashkia Selenicë ka staf profesional, korrekt, të sjellshëm dhe bashkëpunues. Kur një administratë lokale funksionon dhe qytetari gjen njerëz që e dëgjojnë dhe përpiqen t’i japin zgjidhje, kjo është një vlerë që duhet ruajtur dhe përmirësuar, jo zhdukur.
Sigurisht që Selenica mund dhe duhet të bëhet më e fortë. Mund të reformohet administrata, të rriten investimet, të fuqizohen njësitë administrative dhe disa shërbime të specializuara mund të realizohen në bashkëpunim me Vlorën. Por bashkëpunimi nuk kërkon shkrirjen e Bashkisë.
Një bashki nuk duhet të gjykohet vetëm nga numri i banorëve. Duhet të shohim territorin, distancat, fshatrat që administron, ekonominë, identitetin e zonës dhe, mbi të gjitha, sa pranë qytetarit është pushteti vendor.
Selenica nuk ka nevojë të zhduket si bashki. Ka nevojë të fuqizohet.
Unë jam KUNDËR shkrirjes së Bashkisë Selenicë dhe besoj se zëri i banorëve të saj duhet të dëgjohet përpara se të merret një vendim që do të ndikojë për shumë vite në të ardhmen e gjithë zonës.

