May 15, 2024
Rajon - Botë

Shikoni si u rrahën policia dhe protestuesit mbrëmë në Beograd, dy policë u plagosën rëndë (Video)

Video në Link: https://n1info.rs/vesti/izbori-2023/video-policija-tukla-demonstrante-prve-informacije-ima-uhapsenih-i-povredjenih/

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, lidhur me protestën që mbajti opozita para Kuvendit të Beogradit, tha se dy policë u plagosën rëndë, dhe disa të tjerë u plagosën lehtë.

Ai gjithashtu tha se u arrestuan mbi 35 “banditë”.

Vuçiq i tha Pink TV pas seancës së Këshillit të Sigurisë Kombëtare se është bërë një përpjekje për të “pushtuar me forcë institucionet shtetërore”.

Në mbrëmjen e së dielës, policia bllokoi qendrën e Beogradit dhe shpërndau demonstruesit pas incidenteve në protestën e shtatë që kërkon anulimin e zgjedhjeve në Serbi.

Konflikti mes policisë dhe një pjese të demonstruesve ka nisur para Kuvendit të Beogradit.

Një pjesë e personave të maskuar kanë vënë në shënjestër Kuvendin, ndërsa policia që ndodhej brenda ka hedhur gaz lotsjellës dhe sprej piper ndaj tyre.

Në një fjalim të jashtëzakonshëm gjatë mbrëmjes, Vuçiq tha se “asnjë revolucion nuk është duke u zhvilluar” dhe se “shteti është mjaft i fortë” për të “mbrojtur demokracinë, vullnetin elektoral të qytetarëve, Serbisë dhe Beogradit”.

“Asgjë nga këto (opozita) nuk do të ketë sukses. Rebelët dhe banditë do të ndalohen dhe më pas do të reagojnë organet kompetente shtetërore”, deklaroi presidenti serb.

“Ne po mundohemi të mos lëndojmë asnjë nga qytetarët e rastësishëm me një reagim paqësor”, shtoi ai.

Vuçiq gjithashtu deklaroi se “shumë në rajon po gëzohen dhe festojnë” për shkak të ngjarjeve në Beograd, raporton Radio Evropa e Lirë në gjuhën serbe, transmeton Klankosova.tv.