May 5, 2024
Maqedoni

SHGM-ja ia tërheq vërejtjen Ali Ahmetit!

“DEKLARATË SKANDALOZE QË KËRCËNON SIGURINË E GAZETARËVE”

Dhe tani, kujt i bëjmë shërbim me këto lëvizje që po bëhen? Sigurisht që armiqve të shqiptarëve. Po duartrokasin, Alfa, Telma, melma çka jon këto? – deklaroi Ali Ahmeti.

Kjo deklaratë e Ahmetit, u kuptua si sulm ndaj mediave të lartpërmendura, e i menjëhershëm ishte edhe reagimi i Shoqatës së gazetarëve.

”Kjo deklaratë skandaloze është e dëmshme dhe mund të kërcënojë sigurinë e gazetarëve dhe punonjësve të medias, duke nxitur kështu censurën në një kontekst më të gjerë. Deklarata është në veçanti problematike sepse vjen nga kryetari i një partie politike që është pjesë e Qeverisë dhe mund të stimulojë sulme dhe kërcënime ndaj mediave dhe gazetarëve nga anëtarët e partisë dhe kjo mund të sjellë pasoja shumë negative për lirinë e shprehjes” – thonë nga SHGM.

E nga BDI arsyetohen. Thonë që kryetari nuk e ka pas fjalën për asnjë media konkrete, por për përfaqësuesit politik që eksponohen në këto media.

”Në tubimin e mbrëmshëm me qytetarët në Gostivar, Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, z. Ali Ahmeti foli për mungesën e angazhimit të partive politike maqedonase me qytetarët në kontekst të marrëdhënieve me shqiptarët sepse është shqetësuese urrejtja ndaj udhëheqësve shqiptar të institucioneve të shtetit, e cila shfaqet nga qytetarët maqedonas në emisionet kontaktuese në televizionet maqedonase me etiketime si Bugar Osmani, Artan terroristi dhe ofendime të vrazhda ndaj vetë Ali Ahmetit dhe të tjerëve. Z. Ahmeti nuk ka përmendur media armiqësore, por tone agresive armiqësore nga qytetarët, të nxitur nga partitë politike, në emisionet kontaktuese në këto televizione” – thonë nga BDI.

Për deklaratat e Ahmetit mbrëmë, reaguan edhe nga Agjencisë për media. /KlanMacedonia/

Përgatiti: Furkan Saliu