May 8, 2024
Kosovë

Rryma e dobët në Doganaj të Kaçanikut ia ndërpret hoxhës ezanin, e Hidajetes ia lë bukën pa pjekë (VIDEO)

Xhamia gjendet në mes të fshatit, por ezani zor se arrin te banorët e lagjes “Shehu” të fshatit Doganaj të Kaçanikut.

Pajisjet e zërimit të xhamisë nuk po e kryejnë punën e tyre, sepse rryma në këtë lagje është shumë e dobët.

Energjia prej 140 voltësh vështirë që ndez edhe klimën në këtë xhami.

Që thirrja e ezanit, bashkë me ligjëratat, të përcillen deri te xhemati, pajisja përforcuese e rrymës ishte zgjidhja alternative e imamit të xhamisë, raporton Kiks Kosova.

Për shkak të luhatjes së tensionit të rrymës, kjo pajisje shpesh digjet dhe shpenzimet e saj i faturohen xhematit të kësaj xhamie.

Ali Shehu, i cili tash e 20 vjet shërben si imam në këtë xhami, thotë se pavarësisht vullnetit të besimtarëve që të kontribuojnë për xhami, prishja e shpeshtë e kësaj makinerie e bën atë të ndihet keq kur u kërkon ndihmë.

Shehu, për KIKS-in rrëfeu se ka pasur raste kur kanë ndaluar thirrjen e ezanit për shkak të mosfunksionimit të pajisjeve.

E probleme të tilla, sipas tij, po ndikojnë në humbjen e vullnetit për praktikuesit e fesë.

Derisa për funksionim normal të pajisjeve elektrike, tensioni i energjisë duhet të jetë të paktën 220 volt, rryma në këtë lagje është me tension 140 volt.

Kjo gjendje po ua vështirëson jetën në çdo fushë banorëve të lagjes “Shehu”.

Që buka e saj të piqet si duhet, Hidajete Shehut i duhet të zgjohet në ora 5 të mëngjesit.

Sipas saj, gjatë ditës, tensioni i energjisë nuk mund të ngrihet aq sa duhet për të pjekur bukën, as me ndihmën e përforcuesit.

Zgjimi në orët e para të mëngjesit për të përgatitur bukën, nga e cila ushqehen gjithë anëtarët e familjes, shpeshherë për Hidajeten është i pamundur.

E ndodhur në këtë situatë, 50-vjeçarja detyrohet të ndezë shporetin e druve, madje edhe në ditët e nxehta të verës.

Hallin Hidajetes ia qan edhe bashkëshorti i saj, Kemajl Shehu.

Për KIKS-in, ai rrëfeu që për të funksionuar si duhet, ndezja e pajisjeve për larjen e rrobave dhe të enëve duhet të bëhet vetëm pas mesnate.

Tensioni i ulët i energjisë elektrike në këtë lagje e detyron familjen e Kemajl Shehut të vazhdojë ngrohjen me dru tash e sa vite, pasi që ngrohëset me rrymë thjesht nuk ndizen.

Luhatja e tensionit të rrymës në lagjen Shehu u ka sjellë dëme materiale të vazhdueshme banorëve.

Djegia e pajisjeve elektrike për shkak të kësaj luhatjeje është procedura më e shpeshtë që ndodh brenda shtëpisë së Bardh Shehut.

Për KIKS-in, 28-vjeçari rrëfeu që shpeshherë pajisjet shtëpiake është detyruar t’i zëvendësojë me të reja.

Bardhi, i cili në Kosovë jeton vetëm me të shoqen, kishte harxhuar qindra euro edhe për blerjen e përforcuesve të rrymës.

E një përforcues, për të cilin kishte paguar 400 euro, tani ka zërë vend në garazh, pasi që nuk po e kryen funksionin për të cilin e bleu.

E kjo nuk është një probematikë e re. Me këtë situatë, banorët e kësaj lagjeje po përballen që nga paslufta.

Njëri nga banorët tregon se cili mund të jetë shkaku që e solli këtë gjendje.

Sipas Ibra Shehut, me shtimin e pajisjeve elektrike e madje edhe të shtëpive pas luftës, nuk u shtuan edhe trafot, të cilat do të përforconin tensionin e rrymës.

Nga të gjitha ankesat kolektive që bënë tash e disa vite, në komunë e në KEDS, krejt çka morën janë premtimet e vazhdueshme, e asnjëherë një zgjidhje. /Klankosova.tv