Osmani flet për të pagjeturit: Vuçiq ende fle mbi varreza masive

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se Serbia ende vazhdon të bëjë shkelje flagrante të marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit.

Osmani shtoi se Serbia madje vazhdon ta ripërsërisë krimin e saj duke e fshehur vendndodhjen e personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës.

“I bëjë thirrje gjithë komunitetit ndërkombëtar, aleatëve dhe miqëve të Kosovës që të mendojnë pak për familjarët e atyre fëmijëve të zhdukur që ende janë në varreza masive në të cilat po flenë Serbia edhe 25 vite pas lufte”, tha Osmani.

Presidentja kërkoi që komuniteti ndërkombëtar të mendoj për nënat që ende shkojnë te varri i zbrazët, e për fëmijët që ende nuk e din se ku i kanë prindërit e tyre.

“Të mendojnë për faktin që edhe 25 vite pas lufte në krye të Serbisë janë po ata që shkaktuan zhdukjen me dhunë të më të dashurve tanë. Shpresojmë që dialogu në Bruksel nuk do të jetë më proces që Kosovës do ti bëhet trysni, popullit të Kosovës do ti bëhet padrejtësi ndërkaq fytyra e Vuçiqit, një njeriu që ende fle mbi varreza masive do të vazhdoj të shpërlahet padrejtësisht”, tha Osmani.

Presidentja këto komente i bëri pas homazheve tek Memoriali për të Pagjeturit, që bëri së bashku me kryeparlamentarin Glauk Konjufca.