May 3, 2024
Maqedoni

Radev kërkon garanca për bullgarët që jetojnë në Maqedoni të Veriut

Presidenti bullgar Rumen Radev kërkoi garanci të qarta nga Maqedonia e Veriut për respektimin e të drejtave të bullgarëve në vend. Ai kërkon që para fillimit të negociatave të vendit me BE-në të ketë garanci të qarta për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe historike bullgare në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Radev, siç njofton korrespondenti i MIA-s nga Sofja, këtë e tha në takimin me përfaqësuesit e shoqatave të bullgarëve nga Maqedonia e Veriut, duke shtuar se “Bullgaria i vlerëson lartë lidhjet me Maqedoninë e Veriut dhe bashkatdhetarët e saj në të”.

“Para se të hapet dera e negociatave, duhet parë një proces i qartë dhe i qëndrueshëm i zhdukjes së gjuhës së urrejtjes. Bullgaria i merr seriozisht problemet e bullgarëve maqedonas dhe vlerëson shumë mendimin e tyre se si Maqedonia e Veriut mund të arrijë anëtarësimin më shpejt në BE”, tha ai.

Sipas tij, mënjanimi i problemeve politike, herët a vonë do të çojë në bllokimin e procesit të integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut, gjë që sipas tij, Bullgaria kategorikisht nuk e dëshiron.

Sipas tij, kjo nuk është aspak ndërhyrje e Bullgarisë në punët e brendshme të Maqedonisë së Veriut, por, thotë ai, më shumë “shqetësim dhe mbështetje për rrugën e saj të qëndrueshme drejt aderimit në BE”.