Nëntë rrugë të asfaltuara në gjashtë vendbanime, ndërhyrje në ujësjellës e kanalizime dhe projekte për çerdhe e mbrojtje nga përmbytjet. Këto janë disa nga rezultatet dhe projektet për zonat rurale që kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra, prezantoi në konferencën për shtyp, me rastin e njëvjetorit të qeverisjes së tij.
Në prezantimin e bilancit, Qyra theksoi se përmirësimi i kushteve të jetesës duhet të përfshijë çdo vendbanim të komunës, duke u mbështetur në nevojat e banorëve dhe bashkëpunimin me bashkësitë lokale.
“Kur mora detyrën për të udhëhequr Komunën e Strugës, nuk e pashë pushtetin si privilegj, por si përgjegjësi ndaj çdo qytetari, çdo lagjeje dhe çdo fshati”, deklaroi Qyra.
Sipas të dhënave të prezantuara, janë asfaltuar nga dy rrugë në Ladorishtë, Labunishtë dhe Podgorcë, si dhe nga një rrugë në Zagraçan, Oktis dhe Veleshtë. Gjithsej, bilanci përfshin nëntë rrugë në gjashtë vendbanime.
Krahas asfaltimit, në raport evidentohen ndërhyrje infrastrukturore dhe trajtimi i nevojave prioritare në Borovec e Misllodezhdë. Komuna thekson se bashkëpunimi me bashkësitë lokale po shërben për identifikimin e projekteve urgjente edhe në vendbanimet e tjera.
Një pjesë e rëndësishme e investimeve në zonat rurale lidhet me furnizimin me ujë dhe menaxhimin e ujërave të zeza. Në Vranishtë po realizohet projekti i kanalizimit, i financuar me 1,5 milionë euro nga Ministria e Mjedisit.
Në Labunishtë po punohet për përgatitjen e dy projekteve: ujësjellësit dhe stacionit të pastrimit të ujërave të zeza. Për ujësjellësin, procesi përfshin përgatitjen e projektit kryesor dhe aplikimin për sigurimin e mjeteve financiare. Për stacionin e pastrimit po punohet në përcaktimin e lokacionit dhe dokumentacionin teknik, me mbështetjen e UNDP-së dhe Ministrisë së Mjedisit.
Në Ladorishtë është sanuar rrjeti i ujësjellësit në një gjatësi prej 700 metrash. Ndërkohë, po përgatitet projekti për një rezervuar dhe rrjet të ri që parashikohet të furnizojë 40 shtëpi. Sipas Komunës, investimi i planifikuar kap vlerën e rreth 80.000 eurove dhe mbështetet nga dy kompani private.
Pjesë e planifikimit është edhe kolektori fekal Dollogozhdë–Koroshishtë–Livadhi–Bixhevë–Llozhan. Për këtë projekt po përgatitet dokumentacioni për aplikim për mbështetje financiare dhe po punohet në ridizajnimin e rrjetit me lidhje në stacionin e pastrimit.
Në konferencë u prezantua gjithashtu vazhdimi i realizimit të Kolektorit Perëndimor Radozhdë–Kalishtë, që synon kapjen e ujërave fekale dhe mbrojtjen e Liqenit të Ohrit.
Për përmirësimin e lidhjeve ndërmjet vendbanimeve janë siguruar mjete nga Qeveria për rrugën Misleshovë–Trebenishtë. Ndërsa projekti i Kolektorit Lindor parashikon përmirësimin e lidhjes së qytetit me aksin drejt Morovishtës.
Investimet dhe projektet në vendbanimet rurale përfshijnë edhe kujdesin për fëmijët. Në Labunishtë është përfshirë projektimi i një çerdheje të re, ndërsa pranë shkollës “Nuri Mazari” në Dollogozhdë është sanuar muri mbajtës dhe është ndërtuar gardhi mbrojtës.
Për mbrojtjen nga përmbytjet, raporti evidenton pastrimin e rreth tre kilometrave kanale në Belicë dhe hapjen e kanalit mbrojtës në Volinë, në zonën e lumit Sateskë. Sipas Komunës, aksionet e pastrimit të kanaleve vazhdojnë.
“Një vit më parë fituam besimin tuaj. Sot kemi përgjegjësinë ta justifikojmë atë. Nesër kemi detyrimin të bëjmë edhe më shumë”, theksoi Qyra.
Duke prezantuar bilancin për vendbanimet rurale, ai paralajmëroi vazhdimin e investimeve dhe bashkëpunimit me banorët për përcaktimin e ndërhyrjeve prioritare në çdo fshat të Komunës së Strugës.

sqShqip