Kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, së bashku me shefin e Misionit të OSBE-së në Shkup, Kilian Vall, sot u ndanë mirënjohje profesorëve të cilët me përkushtimin, dijen dhe entuziazmin e tyre i lidhin të rinjtë përmes orëve të përbashkëta mësimore.
“Pas çdo ore mësimore qëndrojnë punë, durim dhe besim i sinqertë se çdo fëmijë meriton të pranohet, të respektohet dhe të inkurajohet që të tregojë më të mirën nga vetja. Pikërisht profesorët krijojnë një hapësirë ku nxënësit mësojnë së bashku, ndërtojnë miqësi dhe zbulojnë se dallimet janë një pasuri që na afron. Mirënjohje të veçantë u shpreh profesorëve dhe ekipeve shkollore nga të tetë shkollat e mesme: ‘Vëllezërit Milladinov’, ‘Zdravko Cvetkovski’, ‘Boro Petrushevski’, ‘Cvetan Dimov’, ‘Dr. Pançe Karagjozov’, ‘Arseni Jovkov’, ‘Dimitar Vllahov’ dhe gjimnazit ‘Josip Broz Tito’. Profesionalizmi, këmbëngulja dhe përkushtimi juaj i përditshëm janë zemra e kësaj iniciative dhe arsyeja pse ajo vazhdon dhe jep rezultate”, deklaroi Gjorgjievski.
Nga viti 2018, për të nëntin vit radhazi, Qyteti i Shkupit e mbështet vazhdimisht këtë model në të tetë shkollat e mesme që janë nën kompetencën e qytetit, ku mësimi zhvillohet në gjuhë të ndryshme mësimore, informojnë nga komuna.
“Jemi krenarë që jemi e vetmja vetëqeverisje lokale në vend me një vazhdimësi të tillë, por edhe më shumë jemi të vetëdijshëm për përgjegjësinë që ta avancojmë më tej. Së bashku krijojmë mundësi arsimore që lënë vlera të qëndrueshme për të rinjtë dhe për të gjithë qytetin. Profesorëve ua uroj mirënjohjet e merituara. Qyteti i Shkupit do të vazhdojë të qëndrojë pas punës suaj dhe pas çdo iniciative që ndërton besim, respekt dhe bashkëjetesë. E ardhmja e Shkupit rritet në klasat tona. Obligimi ynë është që çdo fëmijë në to ta gjejë vendin e tij dhe mundësinë për sukses”, tha Gjorgjievski.
Gjorgjievski shprehu falënderim edhe për Misionin e OSBE-së në Shkup për partneritetin afatgjatë, ndihmën profesionale, trajnimet dhe mbështetjen për profesorët dhe shkollat.

