May 14, 2024
Kosovë

Qeveria e Kosovës me vendim të guximshëm, shpallen organizata terroriste dy formacione serbe në Veri

Kryeministri Albin Kurti ka njoftuar se dy formacione ilegale, “Mbrojtja Civile” dhe Brigada e Veriut”, janë shpallur organizata terroriste nga ana e institucioneve të Kosovës.

Ky vendim është marrë në mbledhjen e Qeverisë së të enjtes.

“Bazuar në vlerësimin e institucioneve të sigurisë, formacionet ilegale “Mbrojtja Civile” dhe komponenta e saj “Brigada e Veriut”, paraqesin kërcënim serioz dhe drejtpërdrejt në rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, në veçanti duke pasur për qëllim për të gjithë qytetarët e Kosovës”, ka deklaruar Kurti.

Policia e Kosovës ka arrestuar njërin nga anëtarët “Mbrojtja Civile”, Milun Milenkoviq përpara dy javësh.

Ministri për Kthim dhe Komunitete Nenad Rashiq, ka votuar kundër vendimit të Qeverisë për t’i shpallur organizata terroriste “Mbrojtjen Civile” (Civilna Zashtita) dhe “Brigadën e Veriut” (Severna Brigada).

Këto organizata operojnë në pjesën veriore të vendit, të banuar me shumicë serbe, duke thënë se ato janë përgjegjëse për tensionet e fundit në këtë zonë.

Përderisa në mbledhjen e Qeverisë kryeministri Albin Kurti, ka përmendur veprimet e ndërmarra nga këto grupe, si sulmet ndaj KFOR-it, gazetarëve e qytetarëve të tjerë, veprime të cilat i ka konsideruar kërcënim për rendin juridik e kushtetues të vendit.

“Sulmet ndaj qytetarëve e ushtarëve të KFOR-it, shkaktimi i rrezikshëm ndaj pronës publike e private, detyrimi në marrjen pjesë në protesta të dhunshme, janë veprimet e ndërmarra nga këto grupe”.

“Rendi kushtetues e juridik është i pakompromis dhe duke pasur për qëllim mbrojtjen e të gjithë qytetarëve ‘Mbrojtja Civile’ dhe ‘Brigada e Veriut’, shpallen organizata terroriste”.

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka thënë se “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut”, përmes dhunës e kërcënimeve po e pamundësojnë bashkëpunimin me qytetarë atje.

“Prona, jeta, siguria dhe mirëqenia e qytetarëve tanë atje po rrezikohet çdo ditë nga pjesëtarë të këtyre dy grupeve”, tha Sveçla.

Tutje, Sveçla tha se sjellja para drejtësisë e këtyre grupeve që kanë shkaktuar vepra të panumërta penale do të sjellë rezultate.

“Ky vendim nuk prek askënd i cili deri në momentin e shpalljes si organizata terroriste kanë qenë pjesëtarë të këtyre dy organizatave e s’kanë kryer vepra penale tashmë”.

“Pra, s’vihen në rrezik pjesëtarët e këtyre organizatave që janë integruar apo amnistuar më herët. Nuk ka prapa-veprueshmëri”, u shpreh Sveçla.

Mes tjerash ai tha se secili që është pjesë e këtyre organizatave do të jetë subjekt i hetimit dhe përndjekjes së organeve të drejtësisë.

“Janë organet adekuate që bëjnë vlerësimet e nevojshme për secilin akt dhe secilin pjesëmarrës të këtyre organizatave”, tha ai.