May 10, 2024
Maqedoni

BFI mbështet protestën e Kishës Ortodokse kundër ligjeve për barazi gjinore dhe gjendjes civile, por nuk do mer pjesë

Bashkësia Fetare Islame mbështet protestën e organizuar sot nga KOM-OA kundër ligjeve për barazi gjinore dhe gjendjes civile, por nuk do të marrë pjesë në tubimin para Katedrales së Shën Klementit të paralajmëruar për sot.

“Bashkësia Fetare Islame njofton besimtarët dhe opinionin publik se qëndrimi i saj lidhur me ligjet e propozuara në fushën civile, të cilat kanë hapur debat ditët e fundit, është në radhë të parë mbrojtja e vlerave tradicionale familjare, si në aspektin strukturor ashtu edhe në atë moral. Mbrojtja e familjes dhe e gjenit të njeriut është një parim bazë nga i cili nuk mund të distancohemi, sepse është thelbi i një shoqërie të shëndoshë”, kanë theksuar nga BFI.

Bashkësia Fetare Islame edhe më herët është shprehur se përkrah vendimin e të gjithë krerëve të komuniteteve fetare në vend, i cili ka ardhur si rezultat i mbledhjes së përbashkët të datës 07.05.2023, gjatë së cilës është theksuar se ligjet në fjalë janë në kundërshtim me parimet e bashkësive fetare dhe nuk do të mbështeten.

Protesta mbahet sot në ora 18, kurse kleri i KOM AO ftoi publikisht të marrin pjesë edhe përfaqësuesit e bashkësive tjera fetare në Maqedoni.