May 17, 2024
Maqedoni

Protestë para Gjykatës së Tetovës, kërkohet përgjegjësi për tragjedinë me 14 viktima në spitalin modular

Një grup qytetarësh janë mbledhur sot para godinës së Prokurorisë dhe Gjykatës Themelore në Tetovë për të reaguar ndaj procesit gjyqësor për tragjedinë e 8 shtatorit 2021, kur 14 persona humbën jetën nga zjarri në spitalin modular. Organizatorët e nismës “Më mirë për Tetovën” kërkuan përgjegjësi politike për faktin se askush nuk mori dënimet e duhura për tragjedinë në Tetovë dhe as për rastet e tjera ku qytetarët humbën jetën.

“Për 5 vite, kemi 4 tragjedi, 97 viktima dhe ZERO ditë burg. Prandaj edhe besimi në sistemin e drejtësisë të këtij shteti është ZERO. Jeta e qytetarëve është bërë peng i pazareve dhe tendereve pa kritere. U pa se korrupsioni vret. Nga ky proces u vërtetua që Prokuroria dhe Gjykata janë pjesë dhe mbrojtës të krimit të organizuar që e mban peng shtetin”, theksoi Elmedina Abdullahi.

Ata kërkuan nga Qeveria që të reagojë ndaj iniciativës.

“Kërkojmë nga Qeveria që urgjentisht ta shkarkojë Kryeprokurorin Joveski dhe ai bashkë me prokurorët tjerë të përfshirë në këtë vepër monstruoze të përgjigjen penalisht. Kërkojmë të gjykohen dhe dënohen fajtorët e vërtetë, përfshirë edhe politikanët që në kundërshtim me ligjin, tenderin për ndërtim ia kanë dhënë kompanisë “Brako”, Pa drejtësi nuk do të ketë qetësi”, tha Elmedina Abdullahi në kërkesë.

Qytetarët mbanin mbishkrime me parulla të ndryshme, përmes të cilave kërkohej që të kishte drejtësi të duhur.

“Pa e rregulluar gjyqësorin në përmbajtjen e tij, në Maqedoni nuk do të ketë shtet. Ne mund të protestojmë çdo ditë, por le të jetë ky fillimi për të reaguar e gjithë Maqedonia. Ka ndodhur në Tetovë, mund të ndodhë kudo. Askujt nuk i intereson se çfarë ndodh me njerëzit. Dhe njerëzit i punësojnë ata më lart. Një apel për të gjithë që të kthjellohen dhe e gjithë kjo duhet të jetë që në fillim. Ky vend duhet të rregullohet ose do të zhduket. Nuk do të zhduket nga ne, por nga ata që e drejtojnë”, tha një qytetar pjesëmarrës në tubim.

Të pranishmit në protestë lanë mbishkrimet dhe parullat e ngjitura ose të varura në godinën e gjykatës.