Në protestën që po mbahet në Tiranë për gjuhën shqipe në Maqedoninë e Veriut, një prej studentëve thotë se nuk do të heshtin. Ai u shpreh se gjuha është amanet dhe sot problemi po kthehet në kombëtar.Studenti nga Maqedonia e Veriut nënvizoi se nuk po kërkojnë privilegje, por barazi e respekt.

“Na thanë se jemi vetëm, se do të lodhemi! E kishin gabim! Kush foli për ju, kush flet për ne, heshtën? Kur vjen dita për të zgjedhur mes karriges dhe gjuhës amtare, zgjedhin karrigen! Ne jo, ne nuk heshtim. Gjuha shqipe është kujtesa jonë, amaneti që na kanë lënë brezat që nuk u përkulën kurrë. Gjuha na mbajti gjallë kur perandoritë erdhën dhe ranë. Gjuha na bashkoi kur na ndanë. Sot na thonë se duhet të kërkojmë leje për ta përdorur? Jo, kurrë! Ne s’kemi karrige për të ruajtur! Ne kemi vetëm gjuhën tonë! Ajo që nisi si problem i kolegëve në drejtësi, sot po kthehet në problem kombëtar. Ne nuk kërkojmë privilegje, vetëm barazi dhe respekt për atë që na takon. Sot na takon vetëm një mesazh: ne jemi një dhe të tillë do të qëndrojmë! Bashkë në çdo sfidë, në mbrojtje të identitetit, gjuhës!”, tha njëri prej protestuesve nga Maqedonia e Veriut.

sqShqip