Prof. dr. Veland Ramadani, i cili për të shtatën herë radhazi është renditur në mesin e 2% të shkencëtarëve më me ndikim në botë, sipas listës së Universitetit Stanford, flet për shkencën, studiuesit e rinj dhe nevojën për investime më të mëdha në kërkimin shkencor.

Profesori Veland Ramadani është ekonomist i shquar nga Maqedonia e Veriut, profesor ordinar dhe prorektor për kërkime shkencore, planifikim dhe ndërmarrësi në Universitetin e Evropës Juglindore (UEJL).

Si shkencëtar i njohur ndërkombëtarisht, ai është renditur për të shtatën herë radhazi në mesin e 2% të shkencëtarëve më me ndikim në botë, sipas listës prestigjioze të Universitetit Stanford.

Në intervistën për Deutsche Welle (DW), ai flet për rëndësinë e këtij vlerësimi, kushtet për punë shkencore në Maqedoninë e Veriut, këshillat për studiuesit e rinj dhe nevojën për lidhje më të forta ndërmjet universiteteve, biznesit dhe shtetit.

" "

### Çfarë do të thotë për ju, personalisht dhe profesionalisht, përfshirja për të shtatën herë në listën prestigjioze të Stanfordit, në mesin e 2% të shkencëtarëve më të cituar në botë?

Prof. Veland Ramadani: Përfshirja ime për të shtatën herë radhazi në këtë listë përfaqëson, mbi të gjitha, një konfirmim të vazhdimësisë, cilësisë dhe rëndësisë ndërkombëtare të punës sime kërkimore.

Citueshmëria në vetvete nuk duhet të jetë qëllimi përfundimtar i një shkencëtari. Vlera e saj e vërtetë qëndron në faktin se tregon që ide, koncepte dhe rezultate të caktuara shkencore janë njohur, përdorur dhe zhvilluar më tej nga komuniteti shkencor në nivel global.

Për mua ka rëndësi të veçantë fakti që ky vlerësim është rezultat i kërkimeve në fushën e ndërmarrësisë, biznesit familjar, inovacioneve dhe qëndrueshmërisë, fusha të lidhura drejtpërdrejt me zhvillimin ekonomik.

Njëkohësisht, këtë e konsideroj edhe si vlerësim për mjedisin akademik në Maqedoninë e Veriut. Kjo dëshmon se edhe nga një vend i vogël mund të krijohet shkencë me ndikim ndërkombëtar.

Megjithatë, për mua çdo vlerësim i tillë nuk është qëllim në vetvete, por përgjegjësi shtesë për të vazhduar kërkimet që kanë vlerë shkencore, praktike dhe shoqërore.

### Sa e vështirë është të ruhet ky nivel i lartë i citueshmërisë dhe kërkimit shkencor duke punuar në Maqedoninë e Veriut, krahasuar me qendrat shkencore botërore?

Prof. Veland Ramadani: Nuk është e lehtë të ruhet një nivel i lartë i prodhimtarisë shkencore ndërkombëtare në një mjedis akademik që ka dukshëm më pak burime krahasuar me qendrat kryesore kërkimore botërore.

Sfidat lidhen me financimin e kërkimeve, qasjen në bazat ndërkombëtare të të dhënave, infrastrukturën kërkimore, mobilitetin dhe mundësitë për pjesëmarrje në projekte të mëdha ndërkombëtare.

Megjithatë, sot prodhimtaria shkencore kufizohet gjithnjë e më pak nga gjeografia. Lidhjet digjitale dhe rrjetet akademike ndërkombëtare u mundësojnë studiuesve nga vendet e vogla të jenë pjesëmarrës të barabartë në dialogun shkencor global.

Çelësi qëndron te bashkëpunimi ndërkombëtar, cilësia e pyetjeve kërkimore, rigoroziteti metodologjik dhe përsosja e vazhdueshme profesionale.

Por, nëse duam që kjo të shndërrohet në një dukuri më të gjerë institucionale dhe jo vetëm në sukses individual të studiuesve të caktuar, Maqedonia e Veriut duhet të krijojë një infrastrukturë kombëtare shumë më të fuqishme dhe të qëndrueshme për kërkimin shkencor.

### Cili është sekreti kryesor i vazhdimësisë në publikimin e punimeve në revistat më prestigjioze shkencore botërore, me faktor të lartë ndikimi?

Prof. Veland Ramadani: Nuk do të flisja për ndonjë “sekret”, por për një sistem pune.

Më të rëndësishmet janë vazhdimësia, disiplina kërkimore, cilësia e pyetjeve shkencore dhe bashkëpunimi ndërkombëtar.

Një punim shkencor cilësor nuk duhet të fillojë me pyetjen “Ku ta publikoj?”, por me pyetjen: “Cilin problem të rëndësishëm shkencor apo praktik po trajtoj dhe çfarë kontributi të ri po sjell në njohuritë ekzistuese?”.

Revistat ndërkombëtare nuk kërkojnë vetëm një punim të shkruar mirë, por edhe kontribut të qartë teorik, metodologji të përshtatshme, të dhëna cilësore dhe rezultate që mund të jenë të rëndësishme edhe jashtë kontekstit lokal.

Prandaj, kërkimi shkencor duhet të ndërtohet gradualisht, përmes leximit, diskutimeve me kolegët, partneriteteve ndërkombëtare, analizës kritike dhe përmirësimit të vazhdueshëm.

sqShqip