Biblioteka e Tetovës do të shndërrohet në bibliotekë universitare, duke shënuar kështu një hap të rëndësishëm drejt ngritjes së standardeve për lexuesit e saj. Ky transformim do të sjellë pasurimin e fondit të librave me tituj të rinj shkencorë dhe materiale të domosdoshme kërkimore për studentët e studiuesit. Drejtori i këtij institucioni, Binas Pajaziti, bën me dije se nisma ka kaluar të gjitha filtrat e nevojshëm zyrtarë dhe tashmë pritet vetëm vendimi përfundimtar nga Qeveria.
Të ngjajshme
Huthi: Arabia Saudite ka goditur një objekt nafte
“Si nismë e kemi nisur më herrët, dhe i kemi kaluar gjitha filtrat. Kemi marr mendim për bashkëpunim nga UT, UEJL dhe Biblioteka Amë e Shkupit, ka kaluar gjitha filtrat në kuadër të Ministrisë së kulturës dhe komisioneve përkatëse dhe sipas informatave që kam sot duhet të kaloj edhe filtrin e fundit, vendimin e Qeverisë dhe të kalojë në Bibliotekë universitare”, tha Pajaziti.
Përkundër këtij hapi të rëndësishëm, sfidë kryesore mbetet mungesa e hapësirës adekuate. Institucioni ka nevojë urgjente për një leximore të veçantë, e cila do të shërbente për shfrytëzimin e literaturës me vlerë të veçantë që nuk lejohet të nxirret jashtë bibliotekës. Drejtori Pajaziti sqaron se në kushtet aktuale synohet krijimi i të paktën një këndi të posaçëm pune për kërkuesit shkencorë.
“Në kuptimin klasik leximore, nuk ka, në këto rrethana që jemi në hapësirën e re mund të krijojmë një kënd pune shkencore për studiuesit meqë synojmë bibliotekën universitare për librat e caktuar që nuk jepen jashtë bibliotekës, por kjo do na merr kohë pak për ta krijuar, por në kuptimin klasik si leximore nuk kemi”, shtoi Pajaziti.
Sot, Biblioteka e Tetovës renditet si e dyta në nivel vendi për nga numri i shfrytëzuesve, me më shumë se 10 mijë lexues aktivë dhe një fond prej mbi 100 mijë titujsh.

