April 28, 2024
Kosovë

Presidentja Osmani: Ademi e Hamza treguan heroizëm dhe sakrificë të pashoq duke mbrojtur pragun e shtëpisë së tyre, që simbolizonte vetë Kosovën

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani sot në seancën solemne me rastin e 26-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës tha se i detyrohemi me mirënjohje të përhershme familjes Jashari dhe të gjithë atyre që rënë për liri.

“Marsi është një muaj ku shpirti i paepur i Adem Jashari dhe UÇK i dha hov luftës kundër regjimit gjenocidal të Milloshoviqit. Prandaj “Sërish vjen marsi” nuk është më vetëm një refren kënge, është moto e kujtesës dhe nderimit të luftës sonë për liri dhe pavarësi e cila padyshim identifikohet me kryepersonazhin e luftës sonë, komandantin legjendar Adem Jasharin, familjen e tij dhe gjithë UÇK-së”, tha Osmani.

Osmani, në 26-vjetorin e nisjes së Epopesë së UÇK-së në Prekaz, ka thënë se kjo ditë rikthen kujtimet e periudhës më të lavdishme të historisë që lidhen me përpjekjet për liri e pavarësi.

“Më 5,6 dhe 7 mars, Ademi, Hamza treguan heroizëm dhe sakrificë të pashoq duke mbrojtur pragun e shtëpisë që tyre, e pragu i shtëpisë së tyre simbolizonte vetë Kosovën.

Osmani ka thënë se shteti i Kosovës qëndron mbi supet e heronjve.

“Epopeja e UÇK-së përcaktoi fatin tonë si popull dhe shtet. Adem Jashari ishte vizionar, ndërkaq guximi i tij nuk njihte kufi. Tani më shumë se kurrë uniteti për çështje të interesit kombëtar është i domosdoshëm sepse ai është mjet i vetëm për ta forcuar integritetin dhe kujtimin e atyre që u sakrifikuan për lirinë tonë. Kosova është atdheu ynë që meriton çdo ditë përkushtimin tonë të palëkundur. Zoti e bekoftë familjen Jashari, Zoti i bekoftë gjithë dëshmorët e UÇK-së. Zoti e bekoftë Republikën tonë”, tha Osmani.