Prokuroria Themelore Publike në Manastir, bazuar në procedurën paraprake të zhvilluar dhe provat e siguruara, ka ngritur aktakuzë ndaj pesë mjekëve internistë nga Spitali Klinik i Manastirit “Dr. Trifun Panovski”, për veprën penale “Vepra të rënda kundër shëndetit të njerëzve”, sipas nenit 217 paragrafi 4, në lidhje me nenin 207 paragrafi 3, në lidhje me paragrafin 1 të Kodit Penal, përcjell TV21. Sipas Prokurorisë, ata akuzohen se në periudhën nga 28.05.2024 deri më 04.06.2024, në Repartin e Mjekësisë Interne të spitalit, kanë trajtuar në mënyrë të pakujdesshme një paciente 40-vjeçare, duke shkaktuar përkeqësimin e gjendjes së saj shëndetësore, që ka rezultuar me vdekje.

Pacientja ishte paraqitur në spital pas një kontrolli dhe rekomandimi nga mjeku amë, i cili kishte shprehur dyshimin për inflamacion të venave – tromboflebit. Por, pas kontrollit fillestar në repartin e mjekësisë interne, pa anamnezë të plotë dhe analiza të detajuara, asaj i ishte vendosur diagnoza artrit reumatoid dhe i ishte dhënë terapi, pas së cilës ishte lëshuar në shtëpi.

“Si rezultat, nuk ishte përcaktuar në kohë gjendja e saj e vërtetë shëndetësore, përkatësisht nuk ishte zbuluar dhe diagnostikuar tromboza dhe nuk ishte ndërmarrë me kohë terapia dhe trajtimi i duhur për këtë gjendje. Kështu, ishte humbur mundësia reale për zbulimin dhe trajtimin në kohë të procesit trombotik, për parandalimin ose kufizimin e përparimit të tij, si dhe të përkeqësimit të mëtejshëm të gjendjes shëndetësore të pacientes”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

“Më 01.06.2024, pacientja, me dhimbje të forta në bark dhe gjendje të përkeqësuar të përgjithshme, u paraqit sërish për kontroll në spital. Edhe pse këtë herë u shtrua në spital, gjatë katër ditëve në vijim, pavarësisht vlerave jonormale të analizave laboratorike dhe biokimike, asnjë nga mjekët kujdestarë nuk ndërmori ekzaminime shtesë diagnostikuese për të përcaktuar shkaqet dhe terapinë e duhur, informon Prokuroria.

" "

Për këtë arsye, gjendja shëndetësore e pacientes vazhdoi të përkeqësohej ndjeshëm. Pasditen e 04.06.2024, ajo kërkoi ndihmë mjekësore në një klinikë private në Shkup, ku u pranua në gjendje të rëndë të përgjithshme.

“Gjatë ndërhyrjes urgjente kirurgjikale u konstatua trombozë e arteries mezenterike të sipërme dhe të poshtme, me gangrenë të plotë të zorrës së hollë dhe të trashë. Gjendja tashmë ishte e paoperueshme dhe më 05.06.2024, pacientja ndërroi jetë, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

sqShqip