Kuzeska: Borxhi i shtetit arrin në 10 miliardë e 774 milionë euro, më i larti në histori
LSDM e ka akuzuar pushtetin aktual se e ka futur vendin në borxhe vazhdimisht.
Sipas tyre, edhe gjeneratat e ardhshme do t’i trashëgojnë borxhet e keqqeverisjes dy vjeçare të Hristijan Mickoskit.
“Për vetëm tre muajt e parë të këtij viti, është bërë borxh i ri prej 700 milionë eurosh. Në kurriz të popullit, në kurriz të gjeneratave të reja të ardhshme. Për dy vite pasi Mickoski është në pushtet, borxhi publik është rritur për 2,3 miliardë euro dhe tani arrin në 10 miliardë e 774 milionë euro, më i larti në histori. Të jemi të qartë: ky është borxh krejtësisht i ri. Gjithçka që është kthyer, tanimë është marrë nga përllogaritjet. Bëhet fjalë për huamarrje neto, e krijuar drejtpërdrejt nga ky pushtet i paaftë dhe i prishur. 2,3 miliardë euro marrëveshje të reja, ndërkohë nuk ka para për paga më të larta. Qeveria refuzon ta rrit pagën minimale prej 600 eurosh, nuk ka masa për shtrenjtimet, qytetarët janë të lënë vetëm të përballen me varfërinë edhe atë në krizë”, deklaroi Bogdanka Kuzeska, LSDM.
VMRO: LSDM nuk ka kredibilitet të flasë për ekonomi
Ndërkohë, VMRO-DPNE po ashtu ka reaguar ashpër ndaj partisë opozitare LDSM-së duke thënë se partia nuk ka kredibilitet të flasë për ekonomi, pasi gjatë qeverisjes së saj e çoi shtetin në prag të falimentimit dhe sipas VMRO-DPMNE-së, LDSM është një parti që, sa ishte në pushtet, shpenzoi buxhete milionëshe pa realizuar asnjë investim apo projekt kapital.
VMRO-DPMNE:
“LDSM vazhdimisht ndjek politika dhe strategji PR që bazohen në përhapjen e gënjeshtrave dhe manipulimeve. Ata pretendonin se shteti do të falimentonte, por jo vetëm që kjo nuk ndodhi, përkundrazi u rritën pagat. Po ashtu, përhapën pretendime për ardhjen e migrantëve dhe për bllokimin e fondeve IPARD për bujqit, ndërsa Bruksel konfirmoi se nuk ka parregullsi dhe i demantoi këto pretendime.”
Partia në pushtet ka theksuar se LDSM vazhdon të dezinformojë opinionin publik, duke përhapur panik të pabazë ku sipas tyre pagat u rritën dhe u respektuan kontratat kolektive. Qeveria e udhëhequr nga VMRO-DPMNE ka ndërmarrë masa konkrete për përmirësimin e pagave dhe kushteve në sektorët më të rëndësishëm si shëndetësia, arsimi dhe siguria, ka deklaruar VMRO-DPMNE.

