Ka vdekur nga një sëmundje e rëndë në moshën 91-vjeçare atdhetari dhe i burgosuri politik, Beqir Berisha, babai i përfaqësuesit politik të UÇK-së për mërgatën Bardhyl Mahmuti.

I lindur më 11 shkurt 1935, ai ishte këshilltar i arsimit për Tetovë dhe Gostivar dhe profesor i filozofisë dhe sociologjisë në gjimnazin e Tetovës. Pas shpërthimit të demonstratave të vitit 1968 dënohet me 1 vit burgim. Pas vuajtjes së dënimit shpërngulet në Prishtinë ku ka punuar si gazetar i gazetës arsimore “Shkëndija”.

Po ashtu ai ka shkruar 16 vepra nga fusha e filozofisë, pedagogjisë dhe politologjisë. Shtëpia e tij ka qenë strehë për ilegalet dhe shume mbledhje e organizime për çlirim janë mbajtur në banesën e tij.

Mahmuti ka njoftuar se varrimi i të ndjerit do të bëhet nesër në Tetovë në ora 13:30, por ai u ka apeluar bashkëveprimtarëve (ish-pjesëtarëve të UÇK’së), që të mos udhëtojnë drejt RMV-së për ceremoninë e varrimit për shkak të telasheve që mund t’u dalin në kufi me autoritetet maqedonase.

NJOFTIM MORTOR
Të dashur familjarë,
Të dashur miq,

Ju njoftojmë se sot, më 3 maj 2026, u largua nga kjo botë babai ynë, Beqir Berisha. Varrimi do të bëhet të hënën, më 4 maj, në 13:30, në varrezat e Tetovës.

Duke pasur parasysh situatën politike në Maqedoni, lus të gjithë bashkëveprimtarët e mi nga Kosova të mos marrin rrezikun të vijnë as për varrim e as për ngushëllime.

Me respekt
Bardhyli

sqShqip