Shkruan:DRITON DIKENA
U desh një bombë gjatë Luftës së Parë Botërore që të plagoste kupolën e saj, të lëndonte minaren dhe të shuante për një shekull zërin e ezanit. Një shekull heshtje… një shekull pritje… një shekull dhimbje. Dhe megjithatë, xhama e Mahmud Beut në Manastir nuk u shua.
E shndërruan në stallë kuajsh, magazin plehrash…e përbaltën shenjtërinë e saj. Ajo qëndroi. E plagosur, por në këmbë. E heshtur, por me kujtesë.
Brenda saj mbetën si ogur gjurmët e predhave deri më sot, si dëshmi se edhe guri e mban dhimbjen, por nuk e harron shpresën.
Dhe sot, kur dyert e saj hapen , ajo nuk rikthehet vetëm si një objekt i restauruar, por si një shpirt i kthyer nga heshtja, që pret të dëgjohet sërishë zëri e muezinit: “Eja në namaz, eja në shpëtim.”
Lindja
Xhamia e Haxhi Mahmud Beut në Manastir u ndërtua në fillim të shekullit XVI, më së shumti përmendet viti 1521/1522, ndërsa në disa burime paraqiten edhe vitet 1530 ose 1532. Xhamia ndodhet në pjesën e vjetër të Çarshisë së Vjetër të Manastirit, pranë zonës historike tregtare, në lagjen e dikurshme Tomruk Mëhalla ku shpesh edhe vetë Mahmud Beu, njihej me nofkën Tomruk Aga. Sipas të dhënave historike, ai përmendet si qeveritar ose administrator i qytetit, në një periudhë kur Manastiri po zhvillohej si qendër e rëndësishme urbane, tregtare dhe administrative në kuadër të Perandorisë Osmane.
Rreth figurës së tij ekzistojnë disa mendime. Sipas një interpretimi, nofka Tomruk Aga mund të lidhet me një detyrë administrative ose mbikëqyrëse, ndoshta me funksione sigurie apo ruajtjeje. Ndërsa sipas një mendimi tjetër, Haxhi Mahmud Beu mund të ketë qenë një nga njerëzit e afërt ushtarakë të periudhës së Sulltan Bajazitit II, i cili më pas ishte vendosur në krye të administrimit të qytetit të Manastirit.
Edhe pse nuk dihen me saktësi të gjitha hollësitë e jetës së tij, ajo që dihet qartë është se Haxhi Mahmud Beu la pas një vepër që nuk ishte vetëm objekt adhurimi, por edhe shenjë e pozitës, vizionit dhe ndikimit të tij në jetën fetare e shoqërore të Manastirit.
Arkitektura e veçantë
Xhamia e Haxhi Mahmud Beut në Manastir përfaqëson një nga shembujt më të veçantë të arkitekturës osmane në rajon, me elemente që ndërthurin stilin selxhuk dhe traditën ndërtimore lokale.
Objekti është ndërtuar me bazë katrore prej 11.50 m x 11.50 m, një formë tipike për xhamitë e kësaj periudhe, e cila i jep strukturës stabilitet dhe simetri arkitektonike. Në qendër të saj ngrihet kupola kryesore, e cila dominon volumetrinë e objektit dhe përfaqëson elementin kryesor konstruktiv dhe estetik.
Minareja e xhamisë është një nga elementet më të veçanta dhe më të rralla në hapësirën e Maqedonisë. Ajo është e ndërtuar me një stil të dallueshëm dhe zbukuruar me dekorime polikromatike, duke e bërë atë një atraksion të veçantë artistik dhe arkitektonik.

Ndërtimi i mureve është realizuar në mënyrë dekorative, duke përdorur gur të verdhë të përpunuar, ndërsa në mënyrë ritmike dhe të menduar janë vendosur tulla të kuqe, të cilat krijojnë një kompozim vizual të harmonizuar dhe estetikisht të pasur. Ky kombinim materialesh nuk është vetëm funksional, por edhe një element i rëndësishëm artistik i fasadës.
Xhamia ka gjithsej 14 dritare, të cilat sigurojnë ndriçim natyror të brendshëm dhe kontribuojnë në krijimin e një ambienti të qetë dhe shpirtëror brenda hapësirës së faljes.
Sa i përket dekorimit të brendshëm, ai është relativisht i thjeshtë dhe jo i mbingarkuar, duke reflektuar një qasje më të përmbajtur estetike, ku theksi vihet më shumë në funksionin shpirtëror sesa në zbukurimin e tepërt.
Megjithatë, në aspektin artistik, objekti përmban edhe elemente relievore simbolike në fasadë, të cilat mbartin kuptime fetare dhe filozofike, duke e bërë këtë xhami të dallueshme nga objektet e tjera të ngjashme.
Në tërësi, xhamia dallohet për:
përmasat e saj të balancuara dhe strukturën kompakte
kupolën qendrore si element dominues
minaren me dekor unik polikrom
teknikën dekorative të ndërtimit me gur dhe tulla
ndriçimin natyror përmes 14 dritareve
thjeshtësinë e brendshme në kontrast me finesën e jashtme
Këto karakteristika e bëjnë Xhaminë e Haxhi Mahmud Beut një ndër objektet më të veçanta dhe më përfaqësuese të arkitekturës islame osmane në Manastir.

Vakëfi i Haxhi Mahmud Beut
Haxhi Mahmud Beu, si një nga vakëflënësit më të rëndësishëm të Manastirit osman, themeloi një vakëf të pasur dhe të strukturuar, me qëllim sigurimin e funksionimit të qëndrueshëm të xhamisë dhe kompleksit të saj.

Vakëfi i tij përfshinte:
30.000 qese aspra, ku çdo qese përmbante nga 500 aspra, një shumë shumë e madhe për kohën
10 shtëpi si prona të paluajtshme
10 dyqane, që gjeneronin të ardhura të vazhdueshme
fshatrat Bukovë dhe Oreovë, të përfshira në të ardhurat e vakëfit
të ardhura nga vendbanime të tjera në rajon
Përveç këtyre, vakëfi i tij shtrihej edhe jashtë Manastirit, duke përfshirë prona në territore të tjera të Perandorisë Osmane:
[ ] dyqane dhe dy hamame në Berat (Shqipëri), të cilat kontribuonin në financimin e vakëfit
Ky vakëf nuk ishte vetëm ekonomik, por edhe funksional, pasi mbështeste një kompleks të tërë që përfshinte: xhaminë medresenë “Turkeler” mektebin, hanin, amfiteatrin dhe hapësirat shoqëruese.
Vakëfi kishte rol të rëndësishëm në zhvillimin fetar, arsimor dhe shoqëror të Manastirit, duke mundësuar funksionimin e institucioneve të dijes dhe jetës fetare. Megjithatë, sipas burimeve të mëvonshme historike, në fillim të shekullit XX, nga ky vakëf i pasur kishte mbetur shumë pak.
Pavarësisht kësaj, vakëfi i Haxhi Mahmud Beut mbetet një dëshmi e rëndësishme e traditës së vakëfit në Islam dhe e rolit që këto institucione kishin në ndërtimin e jetës urbane dhe kulturore në Manastir dhe më gjerë.

Medreseja “Turkler”
Medreseja “Turkler” ishte pjesë e kompleksit të Xhamisë së Haxhi Mahmud Beut në Manastir. Ajo përmendet si një nga objektet kryesore shoqëruese të këtij kompleksi, bashkë me hanin, mektebin, dyqanet dhe vakëfet që siguronin mirëmbajtjen e tyre.
Sipas një pjese të burimeve, medreseja është ndërtuar rreth të njëjtës kohë me xhaminë, pra rreth vitit 1522. Megjithatë, ekziston edhe një mendim tjetër sipas të cilit emri i kësaj medreseje nuk paraqitet në regjistrat vakëfnorë të vitit 1528, prandaj mund të jetë ndërtuar pak më vonë.
Në aspektin funksional, Medreseja “Turkler” dhe mektebi ishin qendra të rëndësishme të jetës kulturore dhe arsimore të Manastiri. Ato kontribuan në zhvillimin e kulturës, dijes dhe edukimit fetar në qytet.
Medreseja u dëmtua rëndë gjatë Luftës së Parë Botërore, sidomos gjatë bombardimeve të qytetit në vitet 1916–1917. Në të dhënat e mëvonshme përmendet se nga kompleksi, me kalimin e kohës, ka mbetur xhamia dhe hani, ndërsa objektet e tjera janë rrënuar ose janë zhdukur. Një e dhënë tjetër e vlefshme është se në vitet 1910, si myderriz i kësaj medreseje përmendet Nazif Beu. Kjo tregon se medreseja ka qenë aktive deri në fillim të shekullit XX, para dëmtimeve të mëdha të Luftës së Parë Botërore.
Medreseja “Turkler” ishte një institucion klasik i arsimit islam, ku mësoheshin shkencat fetare dhe disiplinat intelektuale të traditës osmane, duke formuar imamë dhe dijetarë lokale. Edhe pse nuk janë ruajtur shumë emra konkretë, roli i saj në zhvillimin kulturor dhe arsimor të Manastirit është i padiskutueshëm.

Hani dhe amfiteatri
Hani dhe hapësira publike përreth tij, që sot mund të konceptohet si një lloj amfiteatri tradicional, përbënin një nga dimensionet më të gjalla dhe funksionale të kompleksit të Haxhi Mahmud Beut në Manastir. Hani, i ndërtuar si pjesë e vakëfit në shekullin XVI, ishte një strukturë tipike osmane e organizuar rreth një oborri të brendshëm, me mure të forta guri dhe dhoma të radhitura përreth, të destinuara për strehimin e tregtarëve dhe ruajtjen e mallrave. Ai shërbente si një nyje e rëndësishme e jetës ekonomike të qytetit, duke lidhur drejtpërdrejt xhaminë dhe institucionet arsimore me ritmin e përditshëm të tregtisë dhe qarkullimit njerëzor në Çarshinë e Manastirit.

Në vazhdimësi të këtij funksioni, hapësira e hapur pranë hanit kishte një rol që shkonte përtej tregtisë. Ajo shërbente si vend tubimi, diskutimi dhe ligjërimi, ku njerëzit mblidheshin për të ndarë ide, për të dëgjuar mësime dhe për të trajtuar çështje me karakter shoqëror e edukativ. Në këtë kuptim, kjo hapësirë përfaqësonte një formë të hershme të një “amfiteatri” urban, një vend ku ndërthureshin jeta publike, dija dhe komunikimi shoqëror.
Së bashku, hani dhe kjo hapësirë e hapur krijonin një ekuilibër të veçantë brenda kompleksit: nga njëra anë, funksionin ekonomik dhe lëvizjen e vazhdueshme të tregtisë, dhe nga ana tjetër, dimensionin shoqëror dhe intelektual të jetës qytetare. Kjo ndërthurje e bënte kompleksin jo vetëm një qendër fetare, por një organizëm të plotë urban, ku feja, tregtia dhe kultura bashkëjetonin në një harmoni funksionale dhe simbolike.

Rikthimi
Restaurimi i Xhamisë së Haxhi Mahmud Beut në Manastir u realizua me mbështetjen e Republikës së Turqisë, përmes institucioneve të saj shtetërore, në veçanti Drejtorisë së Përgjithshme të Vakëfeve (Vakıflar Genel Müdürlüğü), e cila udhëhoqi dhe financoi procesin e rikthimit të këtij monumenti me vlerë të madhe historike dhe shpirtërore.
Procesi i restaurimit filloi në vitin 2019, në një kohë kur objekti kishte kaluar dekada të tëra në harresë dhe degradim. Pas përfundimit të periudhës osmane, gjatë sistemit jugosllav, kompleksi u nacionalizua nga shteti dhe humbi funksionin e saj fetar dhe ishte përdorur për qëllime të tjera, përfshirë si depo, duke pësuar dëmtime të konsiderueshme në strukturë dhe në identitetin e saj arkitektonik.
Nisma për restaurim erdhi si pjesë e një angazhimi më të gjerë të Bashkësisë fetare islame dhe Muftinisë së saj në Manastir për ruajtjen dhe rikthimin e trashëgimisë islame në vend, me synimin për të rivendosur jo vetëm formën fizike të objektit, por edhe rolin e tij në jetën fetare dhe kulturore të shoqërisë. Gjatë punimeve u ndërmorën ndërhyrje të thella restauruese, duke përfshirë përforcimin e strukturës, pastrimin e shtresave dhe ndërhyrjeve të mëvonshme, rindërtimin e minares mbi bazën e fotografive historike, si dhe riorganizimin e hapësirave të brendshme në përputhje me funksionin e saj origjinal.
Ky proces, i cili zgjati rreth katër vite dhe u përmbyll në vitin 2025, e nxori xhaminë nga gjendja e rrënojës dhe e riktheu atë në identitetin e saj të vërtetë , si një vend ibadeti dhe një simbol i trashëgimisë historike. Në këtë kuptim, restaurimi i saj nuk përfaqëson vetëm një ndërhyrje arkitektonike, por një akt i rëndësishëm i ruajtjes së kujtesës, të rikthimit të vazhdimësisë historike dhe të forcimit të lidhjeve kulturore ndërmjet popujve.

Dhe në fund
Pas një shekulli heshtjeje, muret e saj nuk janë më dëshmitare të harresës, por të gjallërisë së besimit dhe të historisë që refuzon të shuhet. Sot, kur ajo hap sërish dyert për besimtarët, ndjejmë jo vetëm gëzim, por edhe një përgjegjësi të thellë për ta ruajtur këtë amanet.
Ky moment përfaqëson një lidhje të rindërtuar mes të kaluarës dhe të tashmes, një dëshmi se trashëgimia nuk është vetëm për t’u kujtuar, por për t’u jetuar. Dhe ndërsa ezani do të jehojë sërish nga minarja e saj, ai nuk do të thërrasë vetëm për namaz, por edhe për ndërgjegje, për falënderim dhe për besnikëri ndaj rrënjëve

sqShqip