Qeveria planifikon të kufizojë kreditë e shpejta, të cilat kontribuojnë në zhytjen e qytetarëve në borxhe dhe shpesh janë shkak për emigracion nga vendi.

Kjo u njoftua sot nga Kryeministri Hristijan Mickoski, duke komentuar reagimet e kazinove ndaj projektligjit të ri për lojërat e fatit.

Ai tha se përveç kazinove, kreditë e shpejta që u ofrohen qytetarëve tashmë të mbingarkuar me borxhe, janë bërë gjithashtu problem, transmeton portali Lideri.mk.

– Në një farë mënyre, është bërë rregull që zyrat e kredive të shpejta shfaqen gjithashtu pranë kazinove. Gjëja tjetër mbi të cilën do të punojmë do të jetë kjo. Ato do të kufizohen. Po punojmë për këtë dhe nuk do të doja të jepja më shumë detaje. Por mund të them se analiza e qeverisë tregon se shumica e njerëzve që largohen nga vendi e përdorin këtë argument si arsye – borxhet që janë grumbulluar nga kreditë e shpejta – tha Mickoski.

Ai tha gjithashtu se qeveria ka një politikë të caktuar ndaj kazinove që zbaton.

– Duke marrë parasysh të gjithë parametrat që lidhen me këtë industri, ekzistojnë standarde dhe politika të caktuara që kjo qeveri po ndjek. Qytetet me reklama dhe tabela të ndriçuara duken si qytete ku industria kryesore janë kazinotë. Ky ligj do t’i japë fund këtij perceptimi midis qytetarëve – tha Mickoski.

Mickoski tha se për këtë ligj është punuar për një kohë të gjatë, duke marrë parasysh të gjitha standardet në këtë fushë./Lideri

sqShqip